Klekovski: Përgatitëm një faqe të re të MSh-së dhe ISHP-së me të dhëna për ethet e Nilit Perëndimor, është nxjerrë dhe përditësuar udhëzimi për mjekët amë
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën informoi për zhvillimet e fundit lidhur me epideminë e etheve të Nilit Perëndimor.
Aktualisht janë gjithsej 53 pacientë të cilët e kanë kaluar, e kanë ose dyshohet se kanë ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilëve 50 raste janë të konfirmuara, ndërsa tre raste janë të dyshuara dhe pacientët janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Gjithsej 52 pacientë kanë formë neuroinvazive. Nga Klinika për Sëmundje Infektive, 25 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar për trajtim shtëpiak, ndërsa, për fat të keq, janë evidentuar pesë raste me përfundim fatal. Aktualisht, 21 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive, prej të cilëve gjashtë janë në kujdes intensiv, informoi ministri Klekovski.
Ai theksoi se është nxjerrë udhëzim i përditësuar për mjekët në klinika, si dhe për mjekët amë, me qëllim që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë pacientëve që marrin terapi imunosupresive.
Sa i përket aktiviteteve parandaluese që po ndërmerren, ka përfunduar raundi i katërt i spërkatjes kundër mushkonjave të rritura në Shkup. Me qëllim të informimit në kohë dhe transparent të publikut për këtë çështje, kemi përgatitur një faqe të re interneti të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për të mundësuar pasqyrimin e të gjitha të dhënave nga institucionet kompetente, paraqitjen e zonave me rrezik, aktivitetet parandaluese të ndërmarra në secilën zonë, si dhe të dhëna të tjera përkatëse. Aktualisht janë kryer spërkatje të jashtëzakonshme kundër mushkonjave, sipas indikacioneve, në gjashtë nga zonat me rrezik, ndërsa pas datës 14 gusht, në përputhje me gjendjen e evidentuar më parë, janë kryer spërkatje të jashtëzakonshme sipas indikacioneve në disa zona, ndër të cilat Kisela Vodë (Draçevë), kanalet në Gazi Babë, Zelenikovë, Studeniçan, Butel dhe Gjorçe Petrov, shtoi Klekovski.