Juventusi po shqyrton mundësinë e transferimit të Kenneth Taylorit, por arritja e një marrëveshjeje nuk pritet të jetë aspak e lehtë.
Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, Lazio kërkon të paktën 50 milionë euro për mesfushorin holandez.
Drejtuesit e Juventusit kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e Taylorit gjatë kësaj jave për të diskutuar një transferim të mundshëm, por kanë kuptuar shpejt se operacioni do të jetë shumë i vështirë.
Lazio mund të realizojë një fitim të madh nga shitja e Taylorit, pasi e transferoi atë nga Ajaxi sezonin e kaluar për rreth 15 milionë euro.
Interesimi i Juventusit për Taylorin mund të lidhet edhe me të ardhmen e Teun Koopmeinersit.
Pjesërisht për shkak të rikthimit të Douglas Luizit, vendi i Koopmeinersit në skuadrën bardhezi nuk konsiderohet më i sigurt.
Situatën e mesfushorit holandez po e ndjekin me interes edhe Aston Villa dhe Nottingham Forest.
Taylor ka kontratë me Lazion deri në fund të sezonit 2029/30.
Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e ish-mesfushorit të Ajaxit është 25 milionë euro, pra gjysma e shumës që kërkon klubi kryeqytetas.
Ndërkohë, të enjten Taylor ishte në qendër të vëmendjes pasi trajneri Gennaro Gattuso e largoi nga stërvitja.
Megjithatë, më vonë u bë e ditur se të dy zhvilluan një bisedë sqaruese dhe zgjidhën keqkuptimet mes tyre.