Juventusi ka kthyer vëmendjen tek Unai Simón në kërkim të një portieri të ri, me fituesin e Botërorit me Spanjën që është shfaqur si një opsion befasues.
Sipas “Tuttomercatoweb”, duke cituar “Rai Sport”, “Bianconerët” janë gati të provojnë terrenin për portierin e Athletic Club në orët e ardhshme, ndërsa vlera e tij llogaritet rreth 25 milionë euro.
Një portier i ri ka qenë një prej prioriteteve të Juventusit gjatë gjithë verës dhe paraqitjet jo bindëse të Michele Di Gregorios në ndeshjet parazonaIe vetëm sa e kanë shtuar dëshirën e klubit për të përshpejtuar operacionin.
Simón do të ishte një afrim i madh për Juventusin, pasi portieri i Athletic Club ishte numri një i Spanjës gjatë triumfit në Botërorin 2026, duke fituar edhe “Dorezën e Artë” pasi pësoi vetëm një gol gjatë gjithë turneut.
Emri i tij i shtohet një liste gjithnjë e më të gjatë portierësh që Juventusi ka marrë në konsideratë, nga Zion Suzuki, i cili tashmë është pranë transferimit te PSG, te Guglielmo Vicario i Tottenhamit dhe Noah Atubolu i Freiburgut.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të jetë aspak i thjeshtë.
Simón është një produkt i akademisë së Athletic dhe ka kaluar gjithë karrierën e tij te klubi bask. Ai së fundmi rinovoi kontratën me klubin, por pa një klauzolë lirimi, çka e bën edhe më të vështirë largimin e tij nga Bilbao.
Për këtë arsye, tentativa për të transferuar Unai Simón do të ishte një operacion ambicioz për Juventusin, edhe sipas standardeve të një merkatoje vere ku klubi italian ka qenë jashtëzakonisht aktiv.