Sokol Hoxha, i dënuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Banaj në Patos dhe i kërkuar nga drejtësia belge për vrasjen e Brunilda Dervishit, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë pas më shumë se 30 vitesh në arrati. Ai u arrestua më 5 maj në shtetin e Ohajos, ndërsa në Shqipëri duhet të vuajë një dënim prej 25 vitesh burg. Ndërkohë, autoritetet belge e kërkojnë për ekzekutimin e një dënimi me burgim të përjetshëm.
Pas krimit të kryer në Patos, Hoxha u arratis fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë, ku sipas hetimeve u përfshi në aktivitetin e prostitucionit. Hetimet belge kanë arritur në përfundimin se ai vrau Brunilda Dervishin në një lokal në Bruksel, pasi ajo refuzoi t’u bindej urdhrave të tij. Më pas ai u largua drejt Britanisë së Madhe, ku jetoi për vite me një identitet të rremë, duke u paraqitur si refugjat kosovar.
Pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare, amerikane, belge, britanike dhe kosovare, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij në SHBA. Me mbërritjen në Shqipëri, Hoxha do t’i nënshtrohet procedurave për ekzekutimin e vendimit të gjykatave shqiptare, ndërsa autoritetet e të dy vendeve po koordinojnë edhe procedurat që lidhen me dënimin e dhënë ndaj tij nga drejtësia belge.