Gjykata Supreme e Rusisë i ka ndaluar partisë liberale Yabloko të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator.
Kjo e largon nga gara partinë e vetme ruse të regjistruar zyrtarisht që kundërshton hapur luftën në Ukrainë.
Reuters raportoi se vendimi është një goditje e re ndaj mospajtimit politik në Rusi dhe ngushton më tej hapësirën për pikëpamjet kundër luftës në vend.
“Vendimi do të apelohet. Miq, le të mos dëshpërohemi”, tha Yabloko në një deklaratë.
Vendimi i gjykatës pasoi një padi të ngritur nga partia e vogël nacionaliste pro-Kremlinit Rodina, e cila kërkoi të ndalonte Yablokon të merrte pjesë në zgjedhje.
Rodina pretendoi, ndër të tjera, se Yabloko kishte marrë donacione të padeklaruara të fushatës, duke përfshirë para nga burime perëndimore.
Lideri i Yabloko-s, Nikolai Rybakov, i hodhi poshtë këto pretendime gjatë procedurave gjyqësore. Ai tha se nuk kishte prova për të mbështetur akuzat dhe e përshkroi çështjen si një sulm jokushtetues nga kundërshtarët politikë.
Sipas tij, qëllimi është të eliminohen rivalët politikë dhe të kufizohet liria e shprehjes.
Në seancën dëgjimore morën pjesë disa qindra mbështetës kryesisht të rinj të Yabloko-s, me praninë e policisë.
Disa prej tyre mbanin mollë si simbol të partisë, emri i së cilës do të thotë “mollë” në rusisht.
Një nga mbështetësit ishte i mbështjellë me një flamur rus.