Pas zgjedhjeve të ardhshme vjen drejtësia në Maqedoni, ndërsa Hristijan Mickoski dhe grupi i tij kriminal do të përgjigjen për gjithçka që kanë bërë gjatë dy viteve të fundit, deklaroi sot në konferencën për shtyp kryetari i LSDM, dr. Venko Filipçe.
„Pas zgjedhjeve të ardhshme vjen drejtësia në Maqedoni, dhe Hristijan Mickoski dhe grupi kriminal për gjithçka që kanë bërë këto dy vite do të përgjigjen. Nikola Gruevski iku, Hristijan nuk do të ikë,“ tha Filipçe.
Ai theksoi se vendimi i djeshëm i Prokurorisë për mbylljen e lëndës për furnizimin e spitaleve modulare tregon se për pesë vite Mickoski dhe VMRO kanë udhëhequr fushatë me akuza të rënda dhe lajme të rreme.
„Prokuroria tha qartë, nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk ka dëm në buxhet dhe kjo pasqyron tërë punën time kudo, qoftë në klinikë në interes të pacientëve pa korrupsion, ashtu edhe në funksionet e tjera që kam pasur, gjithçka në interes të qytetarëve pa asnjë dëm për askënd,“ tha Filipçe.
Sipas tij, Mickoski dhe VMRO kishin nevojë për një fajtor mbi të cilin për pesë vite do të ndërtonin fushatë politike.
„Mickoski dhe grupi i tij kriminal i organizuar, me këshilltarin kryesor të PR‑it Latas, kishin nevojë për një vrasës,“ shtoi Filipçe.
Ai kujtoi se për pesë vite ka qenë objekt i kualifikimeve më të rënda, të cilat kanë vazhduar edhe pas vendimit të Prokurorisë.
„Pesë vite flasin për mua se jam vrasës, më krahasojnë me vrasës, më krahasojnë me doktor Mengele, imagjinoni, unë që shpëtoj jetë, për të cilin shëndeti i qytetarëve është në vend të parë, nuk ndaluan. Nuk ndaluan as dje, pas vendimit të prokurorisë, dolën disa anëtarë të rinj të grupit kriminal dhe e vazhduan atë, sot edhe kryeministri në konferencë për shtyp,“ tha Filipçe.
Kryetari i LSDM theksoi se pas zjarrit në Tetovë ka dhënë dorëheqje si akt moral dhe njerëzor, ndryshe nga sjellja e Mickoskit sot.
„Unë pas zjarrit në Tetovë dhashë dorëheqje, si akt moral dhe njerëzor,“ tha Filipçe.
Ai akuzoi Mickoskin se vazhdon të luajë me ndjenjat e njerëzve dhe me tragjeditë për qëllime politike, ndërsa vetë nuk ka empati.
„Nuk bëj krahasime me raste të tjera tragjike sepse jam njeri, kam empati dhe ndiej dhimbje. Kjo mjafton të tregojë se çfarë njeriu është Hristijan – pa ndjeshmëri, pa turp, pa keqardhje,“ tha Filipçe.
Filipçe kërkoi që Mickoski dhe VMRO t’u kërkojnë falje familjeve të viktimave, por edhe qytetarëve për pesë vite përhapje të lajmeve të rreme.
„Tani kërkoj që grupi kriminal i organizuar VMRO të kërkojë falje. Jo mua, por familjeve të viktimave. Sepse pesë vite luajnë me ndjenjat e tyre, me emocionet dhe me dhimbjen e tyre. Të kërkojnë falje edhe qytetarëve, sepse pesë vite përhapin lajme të rreme dhe e ndotin hapësirën publike me narrativë të papërshtatshme. Mua nuk kanë pse të më kërkojnë falje, unë e di shumë mirë me çfarë njerëzish kam të bëj,“ përfundoi kryetari i LSDM, dr. Venko Filipçe.