Fëmijët nga Çairi nuk pranohen në “Penko”, BDI: Është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe

Në shkollën“Petar Zdravkovski – Penko”, nxënësit e Çairit nuk pranohen për regjistrim me arsyetimin se nuk i përkasin komunës së Butelit. Shkolla në fjalë ndodhet në territorin e kësaj komune, por që afër e kanë edhe fëmijët e Çairit.

Nga BDI pretendojnë se në këtë shkollë po lejohet regjistrimi i nxënësve që nuk i përkasin rajonit, por që janë në paralelet maqedonase dhe turke. Nga BDI gjithashtu pretendojnë se në këtë shkollë është marrë vendim për të mbyllur një paralele shqipe.

“Në këtë shkollë disa prindër kanë fëmijët e tyre më të mëdhenj që ndjekin mësimin, ndërsa fëmijës më të vogël këtë vit nuk i lejohet që të regjistrohet këtu, duke i detyruar prindërit t’i dërgojnë në shkollë tjetër. Kërkojmë nga institucionet kompetente që të shqyrtojnë me seriozitet situatën e krijuar, ankesat e prindërve, kriteret e regjistrimit dhe mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe. Njëkohësisht kërkojmë që shkolla fillore “Petar Zdravkovski-Penko” të pranojë dhe shqyrtojë të gjitha kërkesat e refuzuara për regjistrimin e nxënësve dhe të kthehet paralelja e mbyllur në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash Armend Murseli, këshilltari i BDI-së në Komunën e Butelit.

Nuk do të ishte e drejtë që problemi të reduktohet vetëm në kufirin administrativ ndërmjet Komunës së Butelit dhe Komunës së Çairit, e as vetëm në numrin prej 18 nxënësish, thonë autoritet komunale.

“Sektori për Arsim në Komunë të Butelit nuk ka marr asnjë vendim të tillë për mbylljen e paraleles në fjalë. Me vetë faktin që në një paralele janë 18 nxënës nuk do të thotë automatikisht se ajo duhet të mbyllet. Ka shumë banorë, të cilët jetojnë edhe në territorin tonë komunal, por nuk i kanë ndryshuar adresat prej nga kanë ardhur dhe juridikisht nuk figurojnë si banorë të Butelit”, thonë nga komuna e Butelit.

Në përputhje me Ligjin për arsimin fillor, paralelja e rregullt formohet me 20 deri në 30 nxënës. Por, ligji parashikon mundësinë që paralelja të formohet edhe me një numër më të vogël nxënësish, me pëlqimin përkatës dhe mendimin pozitiv të institucioneve kompetente. Nga Ministria e Arsimit presin që institucionet kompetente për rajonizimin dhe organizimin e shkollave t’i dorëzojnë të gjitha informacionet relevante, pas së cilës Ministria do të veprojë në kuadër të kompetencave të saj ligjore.

“Ne jemi të gatshëm që në koordinim me Komunën e Butelit, Komunën e Çairit, shkollat dhe prindërit, t’i shqyrtojë të dhënat dhe të gjendet një zgjidhje ligjore dhe e qëndrueshme, me të cilën nxënësve do t’u mundësohet vazhdimi i papenguar i arsimit fillor në gjuhën amtare, në të cilën kanë të drejtë të arsimohen. Në rastin konkret, është e nevojshme të konstatohen të gjitha faktet relevante veçanërisht zona e shkollës ku u takojnë nxënësit, gjuha në të cilën ata e ndjekin arsimin, mundësia që në shkollën e tyre amë të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, si dhe nëse janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraleles me më pak se 20 nxënës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

TV Alsat dje raportoi se në shkollën fillore Petar Zdravkovski- Penko në komunës e Butelit është mbyllur një paralele me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë. Arsyetimi është se nuk ka mjaftueshëm nxënës për regjistrim. Edhe përkundër interesimit të lartë për regjistrim të nxënësve shqiptarë, udhëheqja e shkollës siç mëson Alsat ka vendosur që këtë vit shkollor të mos pranojë fëmijë shqiptarë që jetojnë në rrugë që janë në kufi të komunës së Butelit, por adresat figurojnë në komunën e Çairit. Mbyllja e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka shkaktuar revoltë te mësimdhënësit, të cilët kanë kundërshtuar këtë vendim.

Drejtoresha e Penkos, Mevlide Kryeziu pranon mbylljen e një paraleleje më mësim në gjuhën shqipe, me arsyetimin e mungesës së nxënësve.

“Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i përkasin territorit të Komunës së Butelit dhe zonës së shkollës sonë, jemi detyruar të bëjmë riorganizimin e një prej paraleleve të klasës së parë. Ky vendim është marrë në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për organizimin e procesit mësimor dhe kalimin e shkollës në mësim në një ndërrim. Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim nuk nënkupton mbylljen përfundimtare të mundësisë për hapjen e paraleleve të reja”, deklaroi Mevlide Kyreziu, Drejtore e “Petar Zdravkovski- Penko”.

Vendimi i drejtoreshës së shkollës fillore Petar Zdravkovski Penko, Mevlide Kryeziu për mbylljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe vjen në kohën kur numri i nxënësve shqiptarë në komunën e Butelit vazhdon të shënojë rritje. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave për vitin e kaluar shkollor 2024-2025 në komunën e Butelit gjithsej ka 5 276 nxënës, prej të cilëve më së shumti shqiptarë, edhe atë 2 971, pastaj maqedonas 1 741, turq, 230, Boshnjakë 165, romë 100, Serbë 18 dhe të tjerë.

Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo