Doktor Zdraveski nga ISHP: Nëse dilni jashtë në 39 gradë, kondicionerët duhet të jenë rreth 25 gradë që organizmi të përshtatet

Nëse jashtë temperaturat arrijnë 39 gradë Celsius, kondicionerët duhet të vendosen në rreth 25 gradë, në mënyrë që organizmi të ketë mundësi të përshtatet kur dilni jashtë, rekomandoi doktor David Zdraveski, drejtues i Departamentit për Promovimin e Shëndetit dhe Monitorimin e Sëmundjeve pranë Institutit të Shëndetit Publik, në një deklaratë për mediat lidhur me rekomandimet shëndetësore për mbrojtjen nga temperaturat e larta.

“Ndër rekomandimet e përgjithshme të shëndetit publik që duhet t’i respektojë çdo person, e para dhe kryesorja është shmangia e aktivitetit fizik të lodhshëm gjatë ditës, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00. Nëse në këto temperatura ekspozohen punëtorët, sidomos ata që punojnë në ambiente të hapura, duhet të kenë më shumë pushime gjatë ditës, të ekspozohen sa më pak në diell dhe të qëndrojnë në hije, si dhe të konsumojnë sasi të mëdha lëngjesh”, theksoi doktori.

Sa i përket ushqimit, ai tha se duhet të konsumohet sa më shumë ushqim i lehtë, më pak ushqim i yndyrshëm dhe me shumë kalori, si dhe të shmangen ushqimet që përmbajnë sasi të mëdha sheqeri.

Doktori theksoi se personat mbi 65 vjeç që marrin rregullisht terapinë e tyre, nëse nuk ndihen mirë gjatë ditës, duhet të konsultohen me mjekun e familjes. Gjithashtu, nëse qëndrojnë vetëm në shtëpi, duhet të jenë vazhdimisht në kontakt me fqinjët, miqtë ose persona të tjerë, në mënyrë që, nëse shfaqin simptoma gjatë valës së të nxehtit, të mund t’u drejtohen atyre për ndihmë ose, nëse është e nevojshme, të telefonojnë Ndihmën e Shpejtë Mjekësore në 194 ose 112.

Për gratë shtatzëna, Zdraveski tha se ato duhet të ndjekin rekomandimet e gjinekologëve të tyre, ndërsa personat me sëmundje kronike duhet të marrin rregullisht terapinë e përshkruar.

“Rekomandime të tjera janë larja më e shpeshtë gjatë ditës me ujë të vakët, qëndrimi në ambiente më të freskëta dhe përdorimi i kondicionerëve. Nëse temperatura jashtë është mbi 35°C, duhet të dihet se ambientet duhet të ftohen me kondicioner dhe jo vetëm me ventilator, sepse ventilatori ndihmon deri në rreth 35 gradë. Mbi 35 gradë, është më mirë të qëndrohet në ambiente me kondicioner, me grilat e ulura dhe dritaret të mbyllura. Pas orës 17:00 rekomandohet hapja e dritareve dhe ajrosja e ambienteve”, tha Zdraveski.

Në rrezikun më të madh janë personat e kategorive vulnerabël, veçanërisht ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe personat mbi 65 vjeç. Për ta rekomandojmë që patjetër t’i respektojnë këto udhëzime të përgjithshme – theksoi doktori.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, temperatura deri në 40°C priten gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa një freskim i lehtë pritet nga e enjtja.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo