Dimitrieska-Koçoska: Borxhi publik u ul në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e parë të vitit, më i ulët krahasuar edhe me fundin e vitit 2024 dhe 2025 – ulet në 58.8% e PBB-së
31 korrik 2026, Shkup – Borxhi publik në tremujorin e dytë të vitit u ul për 0.1 pikë përqindje krahasuar me borxhin publik në tremujorin e parë, ose thënë ndryshe në shifra absolute për 21 milionë euro. I shprehur si përqindje e PBB-së, borxhi publik në tremujorin e dytë të vitit 2026 shënoi ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar edhe me borxhin publik në fund të vitit 2024, ndërsa krahasuar me gjendjen në fund të vitit 2025 ulja ishte për 0.6 pikë përqindje.
Ministria e Financave publikoi sot të dhënat e reja mbi nivelin e borxhit publik dhe të borxhit shtetëror përfshirë tremujorin e dytë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara niveli i borxhit publik si përqindje e PBB-së është 58.8%, ose në vlera absolute ai është në nivelin e 10.726 milionë eurove.
Konkretisht, në tremujorin e dytë të vitit 2026 u pagua edhe vlera prej më shumë se 300 milionë eurove për servisimin e një pjesë të Euroobligacionit në vlerë të përgjithshme prej 700 milionë eurove të emetuara në vitin 2020. Pjesa më e madhe e këtij Euoobligacioni u servisua në tremujorin e parë të vitit.
Ministria e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në paraqitjen e saj në Televizionin Maqedonisë theksoi se gjendja e borxhit publik deri tani po menaxhohet me sukses.
“Borxhi publik në tremujorin e dytë arriti në 58.8% të PBB-së. Nëse marrim parasysh sesa ka qenë në vitin 2021 dhe sa ishte në vitin 2024. Ne arritëm ta menaxhojmë të gjithë këtë dhe t’i vëmë gjërat nën kontroll. Më besoni, nuk është e lehtë të mbash vazhdimisht nivelin e borxhit publik rreth 60% të PBB-së dhe të luftosh që të mos e tejkalosh atë prag”, tha ministrja.
Ajo theksoi se, kur bëhet fjalë për huamarrjen, ndonjëherë mund të tejkalohet kufiri që konsiderohet si një prag psikologjik, por se është shumë me rëndësi se për çfarë janë shpenzuar ato mjete dhe se a nxisin rritje ekonomike, gjë që po ndodh gjatë viteve të fundit.
“Kur bëhet fjalë për huamarrjet e reja, njëkohësisht shohim edhe se çfarë po ndodh dhe për çfarë po shfrytëzohen ato mjete. Kjo nxit më tej rritjen ekonomike, duke krijuar bazë për një standard më të lartë jetese për qytetarët. Standardi i jetesës nuk nënkupton vetëm paga më të larta. Standard jetesë është të kemi spitale më të mira, rrugë më cilësore, hekurudha moderne dhe infrastrukturë më të zhvilluar. Pra, nëse mjetet financiare destinohen në mënyrë të duhur, është e mundur që në një moment të tejkalohet edhe ai prag psikologjik, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende. Megjithatë, ajo që ka rëndësi thelbësore është që ekonomia të vazhdojë të rritet, dhe kjo, në vitet e fundit, po ndodh”, theksoi ministrja e Financave.
Ministria e Financave publikon të dhënat për borxhin publik në nivel tremujor, ndërsa të dhënat për gjendjen e borxhit shtetëror në nivel mujore. Sipas të dhënave më të fundit, borxhi shtetëror më datë 30.06.2026 arriti në 9.432 milionë euro, ose 51.7% të PBB-së, duke shënuar ulje prej 41 milionë eurosh, përkatësisht 0.2 pikë përqindjeje, krahasuar me muajin paraprak.