Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Kurti kërkon përsëri kohë shtesë për marrëveshje politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar përsëri kohë shtesë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së një marrëveshje politike, raporton Anadolu.

Kurti para deputetëve tha se takimet e tij si kryetar i subjektit fitues të zgjedhejve të 7 qershorit, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryeministër në detyrë, kanë vazhduar por ende pa një marrëveshje politike.

“Takimet dhe komunikimi imi si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues, Lëvizja Vetëvendosje, me kryetar të partive tjera parlamentare kanë vazhduar. Marrëveshje politike ende nuk kemi. Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja ju lus për kohë shtesë”, theksoi Kurti.

Kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, u bëri lutje krerëve të partive parlamentare që të shtojnë përpjekjet për marrëveshje politike.

Para mbylljes zyrtare të seancës, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj hodhi ve në drejtim të kryeministrit në detyrë Kurti ndërsa më pas ndërhynë edhe sigurimi i Kuvendit.

Kurti ka deklaruar më herët se nuk do ta votojnë kryetarin e Kuvendit pa arritur një marrëveshje paraprake politike për të gjitha pozitat qeverisëse me një parti tjetër, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje mund ta formojë e vetme qeverinë e re dhe ta votojë konstituimin e Kuvendit, mirëpo nuk i ka votat e mjaftueshme për presidentin e ri.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo