Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për të shmangur çdo ndërprerje, autoritetet kanë njoftuar se nxënësit do të vazhdojnë ta ndjekin mësimin në ambientet e Shkollës Fillore Komunale “Besa” në Reçicë të Vogël
Urim HASIPI
Tetovë, 14 gusht – Punimet për ndërtimin e kompleksit të ri arsimor për Shkollën e Mesme Tekstile dhe Gjimnazin e Tetovës “7 marsi”, po vijojnë me ritme intensive dhe sipas planit të paraparë dinamik. Aktualisht, projektet ndodhen në fazën e strukturimit dhe përgatitjes së hapësirave për funksionalizim të plotë, njoftojnë nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës. Sipas informacioneve, objekti i ri i shkollës Tekstile pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti, ndërsa objekti i Gjimnazit 7 “Marsi” do të përfundojë në dhjetor të vitit 2027.
Autoritetet komunale shpresojnë se nxënësit e shkollës Tekstile pritet që gjysmë vjetorin e dytë të vitit shkollor 2026/27 ta fillojnë në objektin e ri nëse nuk ka vonesa dhe pengesa gjatë realizimit të fazës së dytë, pasi që faza e parë tashmë ka përfunduar. Nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë, sipas kryetarit të komunë Bilall Kasami, objekti do të përfundohet deri në fund të vitit.
“Në objektin e shkollës së mesme të Tekstilit po punohet, po ndërtohet në kuadër të dinamikës së paraparë në bazë të kontratës. Urojmë, nëse nuk do të ketë ndonjë situatë e jashtëzakonshme, që deri në fund të vitit të jetë e gatshme”, deklaroi kohë më parë Bilall Kasami , kryetar i Komunës së Tetovës.
Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për të shmangur çdo ndërprerje, autoritetet kanë njoftuar se nxënësit do të vazhdojnë ta ndjekin mësimin në ambientet e Shkollës Fillore Komunale “Besa” në Reçicë të Vogël. Ky sistem do të mbetet në fuqi deri në dorëzimin zyrtar dhe funksionalizimin e plotë të objekteve të reja shkollore.
“Deri në përfundimin dhe funksionalizimin e plotë të objekteve të reja, nxënësit do të vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në objektin e shkollës fillore ‘Besa’ në Reçicë të Vogël, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet pa ndërprerje. Qëllimi është që me përfundimin e objekteve të reja, nxënësit e këtyre shkollave të kenë kushte moderne, hapësira funksionale dhe një ambient bashkëkohor për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor”, tha Nazmi Dauti, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.
Për ndërtimin e kësaj shkolle komuna mjetet i ka siguruar nga kredia Hungareze, në total 5 milionë euro apo 308 milionë denarë. Për fazën e parë janë siguruar 148,5 milionë denarë nga mjetet e Qeverisë për investime kapitale për komunat, ndërsa 2,2 milionë denarë nga buxheti i Komunës së Tetovës. Në gusht të vitit 2025, komuna e Tetovës rrënoi objektin e shkollës së Mesme Tekstile, i cili nuk plotësonte kushtet për zhvillimin normal të procesit të mësimit, pasi që bëhej fjalë për një objekt mjaft të vjetruar, respektivisht të ndërtuar në vitin 1953. (koha.mk)