BDI Tetovë: Qendra për Kulturë në Tetovë po përjashton gjuhën shqipe, kërkon përgjegjësi nga drejtuesit
Dega e BDI-së në Tetovë ka akuzuar Qendrën për Kulturë në Tetovë për mosrespektim të gjuhës shqipe, duke pretenduar se një qytetar shqiptar ka marrë përgjigje vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse informacionin e kishte kërkuar në shqip informon Tetovasot.
Në reagimin e publikuar, BDI vlerëson se një veprim i tillë nuk mund të konsiderohet si pakujdesi teknike, por si shpërfillje institucionale ndaj gjuhës shqipe dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Sipas BDI-së, situata është edhe më shqetësuese pasi, siç thuhet në reagim, institucioni drejtohet nga kuadro shqiptare të VLEN-it. Për këtë arsye, nga drejtoresha Njomza Imeri dhe kryetari i Bordit, Minur Asani, kërkohet të japin sqarime publike se pse në një institucion në Tetovë nuk respektohet përdorimi i gjuhës shqipe, madje edhe kur qytetarët kërkojnë shërbime në gjuhën e tyre.
BDI thekson se gjuha shqipe në institucione nuk është çështje vullneti apo preference, por një e drejtë e garantuar me ligj dhe një simbol i dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.
“Nëse një e drejtë e fituar me shumë sakrificë nuk respektohet nga vetë shqiptarët që drejtojnë institucionet, atëherë kemi jo vetëm shkelje ligjore, por edhe abdikim moral, institucional dhe kombëtar”, thuhet në reagim.
Në fund, BDI u bën thirrje qytetarëve që të mbrojnë dhe të përdorin të drejtat e tyre gjuhësore, duke theksuar se të drejtat nuk humben vetëm kur shfuqizohen me ligj, por edhe kur neglizhohen dhe nuk ushtrohen në praktikë.TS