BDI: Ratko Mladiç dhe VLEN-i, historia e përbashkët

Partnerët e VLEN-it në Qeveri, të cilët VLEN-i i ka mbrojtur dhe legjitimuar në çdo aspekt, sot glorifikojnë Ratko Mladiçin dhe Drazha Mihailoviçin. Ivan Stoilkoviq, ministër në Qeverinë ku bën pjesë VLEN-i dhe ministër i Vetëqeverisjes Lokale, është pjesë e këtij partneriteti politik që VLEN-i e pranon dhe e mbron për hir të pushtetit.

Ratko Mladiç nuk është një figurë për debat apo interpretim historik. Ai është një kriminel lufte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Dhe kjo nuk është as rast i izoluar e as ndonjë gabim i momentit nga partnerët e VLEN-it: Ivan Stoilkoviq dhe partia e tij serbe kanë shfaqur vazhdimisht qëndrime të tilla, duke e quajtur masakrën e Srebrenicës “Disneyland nekrofil”. Pikërisht këtë profil politik dhe këtë qasje ndaj një prej gjenocideve më të tmerrshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, VLEN-i e ka partner në Qeveri, ndërsa edhe një drejtues i zgjedhur nga vetë VLEN-i në institucionin përgjegjës për të drejtat e komuniteteve është përfshirë në glorifikimin e Mladiçit.

Dhe çfarë bën VLEN-i? Sillet sikur të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare: pret që të reagojë opinioni, populli dhe partitë e tjera, pastaj del me ndonjë reagim formal për të larë duart. Por VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve.

Në këtë derexhe nuk kemi ardhur rastësisht. Kemi ardhur si rezultat i politikanëve që karrierën personale e kanë vendosur mbi gjithçka dhe që durojnë, heshtin dhe tolerojnë. E toleruan ardhjen e Milorad Dodikut dhe ligjëratat e tij antiperëndimore e proruse; ndërkohë VLEN-i ka ndërtuar marrëdhënie dhe partneritete ekonomike e energjetike me struktura nga Serbia dhe Republika Srpska, nga Alta Banka deri te marrëveshjet në sektorin energjetik dhe projektet e gazifikimit.

Prandaj, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar. Ai është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit. “Bota serbe” ka depërtuar thellë në strukturat politike dhe institucionale të vendit, për çka janë ngritur vazhdimisht shqetësime edhe në raportet evropiane, ndërsa VLEN-i ka zgjedhur të jetë pjesë e këtij realiteti.

VLEN-i nuk mund të fshihet më pas një reagimi në Facebook. Heshtja përballë glorifikimit të gjenocidit është tolerancë, ndërsa toleranca në pushtet është bashkëpërgjegjësi. Për hir të disa karrigeve, VLEN-i ka zgjedhur të bashkëqeverisë, të heshtë dhe të tolerojë. Historia do ta mbajë mend këtë histori të përbashkët të VLEN-it me partnerët e tij: heshtje përballë glorifikimit të kriminelëve dhe nënshtrim përballë pushtetit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo