BDI: Dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti Shkup-Bllacë ishte përgatitur, financuar dhe proceduar që në kohën e qeverisjes së BDI-së
Dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë nuk është projekt i krijuar nga pushteti aktual, por një projekt për të cilin në kohën e qeverisjes së BDI-së ishin ndërmarrë hapa konkretë në aspektin e projektimit, sigurimit të financimit dhe procedurave të tenderimit.
Më 27 qershor 2022, Kuvendi miratoi Ligjin për garancinë shtetërore të detyrimeve për huanë që do të përdorej për financimin e projektit TEN-T për autostradën nga Shkupi deri në kufirin me Kosovën.
Dokumenti zyrtar mban nënshkrimet e presidentit të atëhershëm Stevo Pendarovski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pra, në kohën kur BDI ishte pjesë e qeverisë, për projektin Shkup- Bllacë ishin krijuar dhe avancuar elementet themelore për realizimin e tij: projektimi, sigurimi i bazës financiare dhe zhvillimi i procedurave të tenderimit.
Kjo dëshmi rrëzon çdo tentativë për të krijuar përshtypjen se autostrada Shkup- Bllacë është një projekt i nisur nga zero nga qeverisja aktuale.
Pyetja është e thjeshtë: çfarë ka bërë pushteti aktual përtej asaj që ishte përgatitur dhe siguruar më herët?
Në vend të propagandës, qytetarët meritojnë transparencë: të publikohen të gjitha dokumentet që lidhen me projektimin, financimin, tenderimin dhe realizimin e këtij projekti.
BDI nuk kundërshton realizimin e autostradës Shkup- Bllacë. Përkundrazi, BDI kërkon që projekti të realizohet sa më shpejt, në interes të qytetarëve dhe të lidhjes strategjike të Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Autostrada nuk fillon me propagandë. Ajo fillon me projekt, financim dhe procedura konkrete. Dhe këto hapa për Shkup- Bllacë ishin ndërmarrë që në kohën kur BDI ishte në qeveri.
Dokumentet flasin. Propaganda nuk mund t’i fshijë.