Avni Ameti vlerëson sakrificën e zjarrfikësve: Heroizmi i vërtetë është të rrezikosh veten për të shpëtuar dikë tjetër
Komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve, Avni Ameti ka vlerësuar lart punën dhe sakrificën e zjarrfikësve, duke i cilësuar ata ndër njerëzit më të guximshëm të shoqërisë.
Në një reagim të tij, Ameti thekson se zjarrfikësit çdo ditë përballen me rrezik për të shpëtuar jetën dhe pronën e të tjerëve. Sipas tij, në momentet kur shumica e njerëzve largohen nga vendet e rrezikshme, zjarrfikësit hyjnë në to për të ndihmuar dhe shpëtuar jetë.
“Sakrifica e tyre nuk matet vetëm me orët e gjata të punës, por edhe me guximin, lodhjen dhe rrezikun që përballojnë”, shkruan Ameti.
Ai veçon përballjen e zjarrfikësve me flakët, tymin dhe temperaturat e larta, duke theksuar se për ta çdo sekondë mund të jetë vendimtare.
Në fund, Ameti u shpreh mirënjohje zjarrfikësve për punën dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se sakrifica e tyre është një shembull i humanizmit, guximit dhe përkushtimit ndaj shoqërisë.
“Heroizmi i vërtetë është të rrezikosh veten për të shpëtuar dikë tjetër”, është mesazhi i tij.