Autoritetet apelojnë: Qytetarët e Gostivarit të lënë ujin të rrjedhë për pastrimin e rrjetit, mbi 4.700 të prekur nga epidemia

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u bëri thirrje sot banorëve të Gostivarit që ta lënë ujin të rrjedhë sa më shumë, me qëllim që të përshpejtohet pastrimi i rrjetit të ujësjellësit. Apeli u bë pas mbledhjes së Shtabit të Krizës.

Uji në Gostivar është i ndaluar për pije që nga 17 korriku, pasi institucionet konstatuan se për 22 ditë në rrjetin e ujësjellësit ishte futur ujë i ndotur me fekale. Deri më tani janë infektuar pothuajse 5.000 qytetarë. Më 19 korrik u shpall epidemi, ndërsa më 21 korrik Qeveria shpalli gjendje krize 30-ditore në qytet.
Që nga 27 korriku, uji mund të përdoret vetëm si ujë teknik, për larje dhe nevoja të tjera shtëpiake, por ende nuk lejohet për pije.

Toshkovski, i cili udhëheq edhe Komitetin Drejtues për Menaxhimin e Krizave, tha se rekomandimet e institucioneve mbeten në fuqi, pasi cilësia e ujit ende luhatet dhe nuk i plotëson kushtet për konsum.

“Uji po hiperklorohet vazhdimisht dhe niveli i klorit arrin deri në kufirin maksimal të lejuar me ligj. Kjo është pjesë e procesit të pastrimit të rrjetit. Përveç shpëlarjes së vazhdueshme që kryhet nga ekipet e ‘Uj’ nga Shkupi dhe Gostivari, do të ishte mirë që edhe çdo qytetar të hapë rubinetat dhe ta lërë ujin të rrjedhë për të pastruar edhe instalimet sekondare në objektet e tyre”, deklaroi Toshkovski.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, njoftoi dje se uji nga ujësjellësi i Gostivarit është mikrobiologjikisht i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për pije për shkak të pranisë së bakterit Pseudomonas aeruginosa.
Nga ana tjetër, drejtuesja e Sektorit për Kontroll Sanitar në NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” Shkup, Emilija Anevska, sqaroi se ky bakter zakonisht shfaqet në ujë të ndenjur. Sipas saj, pas ndalimit të përdorimit të ujit ishte e pritshme që ai të gjendej në mostrat e marra, ndërsa procesi i klorifikimit dhe shpëlarjes së rrjetit po monitorohet vazhdimisht nga laboratorët.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se situata epidemiologjike në Gostivar po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme. Më 3 gusht janë regjistruar 78 kontrolle mjekësore, gjashtë më pak se një ditë më parë, kur ishin evidentuar 84 raste. Që nga shpallja e epidemisë më 19 korrik, numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 4.762 persona.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo