Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është përmendur as në takimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit me drejtorin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizin.
Në Ministrinë e Drejtësisë dje u realizua takim midis Shasivarit dhe Idrizit, për të cilin njoftoi ky i fundit.
Në publikimin në profilin e tij në Facebook, Idrizi shkroi se zhvilluan takim të rëndësishëm në frymë të bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Megjithatë, askund nuk u përmend çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndryshe nga Idrizi, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari nuk ka ndarë ndonjë njoftim për këtë takim në faqen e Facebookut. Njoftim nuk pati as në faqen e Ministrisë së Drejtësisë apo kumtesë.
Mungesa e diskutimit për jurisprudencën në gjuhën shqipe bie në sy edhe për faktin se të dy institucionet janë përmendur vazhdimisht në debatin publik lidhur me këtë çështje. Ministria e Drejtësisë është institucioni përgjegjës që e ofron këtë provim, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka detyrë inspektojë zbatimin e gjuhëve nëpër institucione.
Jurisprudenca në shqip nuk u përmend as në takimin e Shasivarit e drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmanin.
Jeton Shasivari, para se të ulet në kolltukun e ministrit, ishte profesor i juridikut në Universitetin e Evropës Juglindore, studentët e të cilit vazhdimisht kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur protesta të studentëve dhe reagime nga profesorë, organizata dhe partitë politike shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi shtetëror të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe parimin e barazisë. Deri më tani, institucionet nuk kanë ofruar një zgjidhje konkrete për këtë kërkesë.
Kanë kaluar muaj që kur zëvendëskryeministri, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti.
Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve./portalb