Angellov: Uji në Gostivar gradualisht po stabilizohet, por ende nuk është gati për pije dhe për gatim
Gjendja me ujin në Gostivar gradualisht po stabilizohet. Numri i baktereve është ulur ndjeshëm, por uji ende nuk është i përshtatshëm për përdorim si ujë i pijshëm dhe mbetet në fuqi ndalesa për pirjen dhe përdorimin e tij për gatim. Uji mund të përdoret si ujë teknik. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari është ajo që do të përcaktojë se kur uji do të jetë i sigurt për pije, deklaroi sonte drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili njëkohësisht është edhe shef i Shtabit të Krizës të formuar nga Qeveria. Angellov tha se me shumë gjasa uji do të lejohet për pije javën e ardhshme, nëse rezultatet mbeten të tilla siç janë tani.
Sa i përket pranisë së bakteries nga uji i ndenjur në rrjetin e ujësjellësit, Angellov në një intervistë për TV Kanal 5 tha se në opinion ka pasur një keqkuptim, sepse sasia e kësaj bakterie ka qenë shumë e ulët, por megjithatë e bën ujin të papërshtatshëm për pije, jo edhe të rrezikshëm për qytetarët që ta përdorin si ujë teknik. Nga ana tjetër, sipas tij, për shkak të hiperkolorimit që po zgjat prej një kohe më të gjatë, gjendja është përmirësuar ndjeshëm, por pasi të vërtetohet në disa analiza radhazi, së paku për tre ditë, se nuk ka prani të asnjë lloj bakterie, përkatësisht se uji është mikrobiologjikisht i rregullt, duhet të pritet që teprica e klorit, e shtuar qëllimisht për t’i shkatërruar bakteret, të kthehet në nivel normal. Vetëm atëherë AUV-ja do të përcaktojë nëse uji është i përshtatshëm për pije apo jo.
Në të njëjtën kohë, sipas Angellovit, qytetarët do të përballen me problemin kryesor – dhe ajo është sasia e vogël e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar.
Ai thotë se është më shumë se i sigurt se dikush do të mbajë përgjegjësi penale, pasi ka persona që janë ndaluar dhe ndodhen në paraburgim. “Mendoj se Prokuroria Publike do të ngrejë kallëzime përkatëse penale, kështu që është më shumë se e sigurt se do të ketë përgjegjësi, edhe penale. Sepse një sjellje e tillë e pushtetit lokal është e papranueshme, edhe pse kryetari i fundit i komunës ka qenë në detyrë për një kohë relativisht të shkurtër, por kjo është një pozitë ku mund të bëhet diçka për të ndryshuar gjërat”, tha Angellov.
Në lidhje me zjarret, ai tha se sa i përket numrit të tyre, këtë verë kemi pothuajse të njëjtin numër zjarresh si vitin e kaluar ose para dy vitesh, por këtë vit reagimi është shumë më i mirë dhe më i shpejtë.
Sipas tij, përdorimi i shpejtë i aeroplanëve zjarrfikës er-traktor u ndihmon zjarrfikësve lokalë, për të cilët tha se është dëshmuar se janë në lartësinë e detyrës, dalin në terren dhe me përkushtim luftojnë kundër zjarreve dhe zjarret po kontrollohen në fazën e parë, para se të përfshijnë sipërfaqe më të mëdha ose para se të depërtojnë në terrene që janë të vështira për t’u shuar.