Alarm në Strugë/ Gërmimet ilegale pranë burimit në Shum ndotën ujin e pijshëm mbi 30 herë mbi normën e lejuar
Policia e Strugës ka ngritur kallëzim penal ndaj dy personave fizikë dhe një personi juridik nga Veleshta, nën dyshimin se me gërmime ilegale pranë burimeve të ujit në fshatin Shum kanë shkaktuar ndotjen e ujit me të cilin furnizohet qyteti i Strugës.
Sipas policisë, të dyshuarit kanë kryer gërmime dhe shfrytëzim të paligjshëm të burimeve minerale në disa parcela private dhe shtetërore, pa pasur marrëveshje të vlefshme koncesioni.
Veçanërisht shqetësues është fakti se punimet janë kryer në afërsi të burimeve të ujit në Shum, prej nga furnizohet Struga me ujë të pijshëm.
Sipas kallëzimit, aktivitetet kanë kontribuar drejtpërdrejt në ndotjen dhe turbullimin e ujit, ndërsa niveli i turbullirës ka arritur mbi 30 herë më shumë se kufiri i lejuar.
Si pasojë, është shkaktuar ndërprerje afatgjatë e furnizimit, ndërsa për një periudhë është ndaluar përdorimi i ujit si për pije, ashtu edhe për higjienë personale.
Ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime për veprat penale “uzurpim i pasurisë së paluajtshme”, “shfrytëzim i paligjshëm i burimeve minerale”, “shkaktim rreziku gjatë punimeve ndërtimore” dhe “ndotje e ujit të pijshëm”.
Rasti ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm dhe pasojat që aktivitetet e paligjshme mund të kenë për mijëra qytetarë të Strugës.