Alarm në Maqedoninë e Veriut: Pothuajse i gjithë vendi nën rrezik të lartë nga zjarret!

Pothuajse i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut është në një zonë me rrezik të lartë zjarresh për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta. Sipas indeksit meteorologjik të zjarreve, pjesa më e madhe e vendit është shënuar me ngjyrë portokalli, duke treguar një shkallë të lartë rreziku të shfaqjes dhe përhapjes së zjarreve në hapësira të hapura.

Përjashtim bëjnë Mali i Sharrit dhe rajoni përreth Ohrit dhe Resnjës, ku është regjistruar indeks mesatar meteorologjik i zjarreve, përkatësisht zonë e verdhë, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).

Për shkak të këtyre kushteve, autoritetet paralajmërojnë se ekziston një rrezik serioz i shpërthimit dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve në pyje dhe fusha në të gjithë vendin. Zyra Qendrore e Ndryshimeve Klimatike u bën thirrje qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm kur qëndrojnë në natyrë dhe të shmangin përdorimin e zjarrit në hapësira të hapura. Nëse vihet re një zjarr, qytetarët duhet të telefonojnë menjëherë në numrin e vetëm të emergjencës 112.

Gjashtë zjarre aktive në të gjithë shtetin
Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar 29 zjarre të hapura. Nga këto, gjashtë janë aktive, një është vënë nën kontroll dhe 22 janë shuar plotësisht, njoftoi Qendra e Menaxhimit të Krizave.

Ka zjarre aktive:

në Komunën e Studeniçanit pranë fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gaber;
në Komunën e Makedonski Brodit pranë lokalitetit Vidush dhe fshatrave Dragov Dol, Lokvicë dhe Deviç;
në komunat Veles dhe Zelenikovë afër fshatrave S’lp, Gorno Sellë, Karabunishtë, Buzalkovë, Dobrino dhe Tisovicë;
në komunat Jegunovcë dhe Saraj pranë fshatrave Kopancë, Tudencë dhe Bojanë;
në Komunën e Prilepit pranë fshatit Çanishte;
në Komunën e Dolnenit pranë fshatrave Vrancë dhe Belo Pole.
Zjarri në deponinë në Delçevë është vënë nën kontroll.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo