Komunikata e VLEN-it
Arben Taravari po bie ndesh me deklaratat e tij. Derisa dikur dilte para qytetarëve të Gostivarit dhe akuzonte pushtetin e atëhershëm se po i “helmon” qytetarët me moskujdesin dhe mosveprimin, gjatë mandatit të tij të dalë dhe të thotë se po e zgjidh problemin e ujit në Gostivar “për 100 vitet e ardhshme”!
Sot kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, Taravari jo që nuk ka përmbushur ndonjë nga premtimet, por nuk jep asnjë përgjegjësi politike. Dy rezervuarët gjigant që i premtoi poashtu në vitin 2022 për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, një donacion nga Zvicra, as kjo nuk u bë.
Pyetja është; Ku u avulluan 7 milionë euro ndihmë nga Zvicra?
Pyetja tjetër; A po del uji i Gostivarit sikur kanalizimi i Zajazit?
Ironia është e madhe. Fjalët që dikur ua drejtonte kundërshtarëve politikë, sot janë pasqyra më e qartë e dështimit të tij. Standardet nuk mund të ndryshojnë sipas interesit politik. Nëse në vitin 2017 çdo dyshim ishte arsye për akuza të rënda, sot faktet e bëjnë situatën edhe më alarmante.
Qytetarët nuk kanë nevojë për arsyetime, por presin përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, jo heshtje. Ata kanë nevojë për ujë të sigurt dhe institucione që funksionojnë.
VLEN kërkon përgjegjësi të plotë për secilin zyrtar që ka dështuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe kërkon që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Askush nuk mund të fshihet pas postit, partisë apo heshtjes.
Krejt në fund, Arben Taravari duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Gostivarit me të njëjtin standard që kërkonte nga të tjerët. Sepse përgjegjësia nuk është slogan për opozitë; është detyrim kur udhëheq edhe me pushtetin lokal.