UGSH: Kërcënimet dhe pengimet e gazetarëve për shkak të detyrës, janë shprehje e realitetit kritik në Ballkanin Perëndimor
Kërcënimet dhe pengimet e gazetarëve për shkak të detyrës, janë shprehje e realitetit kritik në Ballkanin Perëndimor
Tiranë më 20.07.2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë pas një raportimi nga koordinatorët e UGSH për rajonin, vëren se përveç rasteve të kërcënimeve të gazetarëve në Shqipëri, po shtohen edhe raste në Kosovë, Maqedoni të Veriut etj.
Denoncimi dhe kallëzimi i gazetarit Osman Stafa për dy agresorë të cilët janë të përfshirë në veprimtari për keqpërdorimin e mjedisit në shtratin e lumit të Shkumbinit në zonën e Librazhdit, pasoi me reagime të disa organizatave të gazetarëve.
Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, rasti i gazetarit të “ Tetova Sot” Rami Mislimi, i cili u kërcënua me jetë nga kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës Albi Qamili, ka pasuar gjithashtu me reagime të shumta dhe solidaritet nga disa entitete gazetarësh. Kërcënimet ndaj kolegut Mislimi i janë adresuar edhe fëmijës së tij të mitur, duke dëshmuar se sa agresivitet manifestohet ndaj jo vetëm gazetarëve, por edhe familjarëve të tyre.
Nga raportimi i kordinazorëve të UGSH, gjatë dy muajve të fundit janë shënuar pesë raste kërcënimesh ndaj kolegëve në Kosovë, pesë në Shqipëri dhe katër në Maqedoninë e Veriut.
UGSH vëren se në Maqedoninë e Veriut agresiviteti ndaj mediave dhe gazetarëve është në rritje edhe në raportet ndëretnike. Sulmet verbale dhe fizike ndaj gazetarëve shprehin realisht risqet për raportim kurajoz, për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gazetarëve.
Episodet ndaj kolegut Mislimi në Tetovë, flasin qartë edhe për përmasat e agresivitetit ndaj pjestarëve të familjeve të gazetarëve.
UGSH vëren, se në të gjitha rastet e denoncuara dhe të kallëzuara, organet shtetërore në rajon, dëshmojnë vonesa proceduriale dhe hetimore për kapjen dhe ndëshkimin ligjor të agresorëve dhe kërcënuesve, ndonëse legjislacioni në këto shtete ka njohur amendime, ku mishërohen penalitete penale të rënda ndaj rasteve të tilla.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë