Rusia ka konfirmuar se është në kontakt me Turqinë lidhur me sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400, ndërsa e cilësoi çështjen “shumë të ndjeshme”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska dhe Ankaraja kanë zhvilluar kontakte për këtë çështje dhe se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Kemi pasur kontakte me palën turke për këtë çështje dhe do të vazhdojmë kontaktet edhe më tej. Kjo është një temë që bën pjesë në kategorinë e çështjeve shumë të ndjeshme”, tha Peskov.
Deklarata vjen pas raportimeve në mediat turke dhe në Bloomberg, sipas të cilave Turqia po kërkon pëlqimin e Rusisë për të transferuar sistemet S-400 në një vend të tretë.
Sipas raportimeve, Ankaraja synon të plotësojë një nga kushtet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve të vendosura sipas ligjit CAATSA dhe për rikthimin në programin e avionëve luftarakë F-35.
Burime turke, të cituara nga Bloomberg, thanë se autoritetet turke i janë drejtuar Moskës javët e fundit, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, Turqia nuk mund t’ia transferojë sistemet S-400 një shteti të tretë pa miratimin e Rusisë, e cila gëzon të drejtat e përdoruesit përfundimtar të sistemit.
Raportimet sugjerojnë se një nga opsionet që po shqyrtohet është transferimi i sistemeve në një vend të Gjirit, megjithëse destinacioni nuk është bërë publik.
Turqia u përjashtua nga programi F-35 në vitin 2019, pasi mori në dorëzim sistemet ruse S-400. Një vit më vonë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë turke të mbrojtjes sipas ligjit CAATSA.
Gjatë samitit të NATO-s këtë javë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të shqyrtojë mundësinë e rikthimit të Turqisë në programin F-35, duke shtuar se administrata amerikane po konsideron edhe heqjen e sanksioneve ndaj Ankarasë. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.