Me rritjen e temperaturave këtë verë, gjithnjë e më shumë burra në Japoni po shkojnë në punë me pantallona të shkurtra, shkruan BBC. Qeveria Metropolitane e Tokios po i inkurajon punonjësit të lënë kostumin dhe kravatën gjatë muajve të nxehtë, duke zgjedhur veshje më të lehta dhe komode si bluza, atlete dhe pantallona të shkurtra. Nisma “Tokyo Cool Biz”, e prezantuar në prill nga guvernatorja Yuriko Koike, synon t’i ndihmojë qytetarët të përballojnë vapën, duke zgjeruar fushatën tradicionale verore për kursimin e energjisë dhe uljen e përdorimit të kondicionerëve.
Megjithatë, rreth katër muaj pas hyrjes në fuqi të rekomandimit, reagimet kanë qenë të ndara. Një pjesë e punonjësve e mirëpresin ndryshimin, duke thënë se ndihen më rehat dhe më produktivë në temperatura të larta. Të tjerë e konsiderojnë politikën të padrejtë ndaj grave, pasi në shumë vende pune ato ende duhet të veshin gete kur ekspozojnë një pjesë të këmbëve. Ndërkohë, disa gra kanë ngritur një tjetër shqetësim, të cilin në rrjetet sociale e kanë quajtur “sunehara” – një term i krijuar nga fjala japoneze për “ngacmim”, që përdoret për të përshkruar sikletin nga ekspozimi i qimeve të këmbëve të kolegëve meshkuj.
“Ne duam t’u japim njerëzve më shumë mundësi për t’u përballur me vapën e madhe, jo t’u diktojmë se çfarë të veshin. Nuk duhet të ketë problem përderisa veshja është e përshtatshme dhe nuk ofendon askënd”, ka thënë Noboru Watanabe, zyrtar për mjedisin në Qeverinë Metropolitane të Tokios. Sipas një sondazhi të zhvilluar në qershor nga Gorilla Clinic, 53.5% e të anketuarve janë kundër veshjes së pantallonave të shkurtra nga burrat në vendin e punës gjatë verës, ndërsa 46.5% e mbështesin këtë rekomandim. Shumica që morën pjesë në sondazh ishin gra.