Në një konferencë për shtyp të thirrur në rrethana të jashtëzakonshme, deputetë të opozitës reaguan ashpër ndaj incidenteve të papranueshme që ndodhën gjatë seancës së Kuvendit, duke i cilësuar si sulm ndaj demokracisë dhe standardeve minimale parlamentare.
Informatat tona nga Kuvendi vijnë se në klubin e deputetëve, kandidati për ministër, Ivan Stoilkoviç ka sulmuar verbalisht me fjalë të rënda dhe ofenduese edhe një deputete shqiptare të opozitës, Arbana Pashollin nga BDI. Pas këtij gjesti kanë reaguar deputetët e pranishëm dhe e kanë përjashtuar.**
Sipas opozitës, nervoza e madhe e Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe e kandidatit për ministër Ivan Stoilkoviç u duk qartë gjatë diskutimit për dështimet dhe debaklin e qeverisjes dyvjeçare.
“Kryesore në demokraci është që t’i dëgjosh të gjitha kritikat, dobësitë dhe prej tyre të nxjerrësh mësim. Por në Maqedoni duket sikur mendoni se duke sulmuar ata që tregojnë problemet, do të arrini rezultate më të mira”, u tha në konferencë.
Fyerjet e rënda u adresuan fillimisht ndaj dy deputetëve të LSDM-së – zëvendës-koordinatorit Fatmir Bytyqi dhe deputetit Mitko Trajçuleski. Por ajo që ndodhi pas ndërprerjes së seancës ishte një sulm i vërtetë, jo vetëm verbal, por edhe me fjalë të rënda e ofenduese nga Ivan Stoilkoviç.
“Kjo nuk i ka hije një kandidati për ministër që duhet të zgjedhet nga ky Kuvend. As dështimet ekonomike, as katastrofat në bujqësi, as politikat e këqija sociale, as ndalimi i rrugës evropiane nuk mund të fshihen duke sulmuar opozitën dhe deputetët”, u theksua më tej.
Folësit shprehën shqetësim të veçantë për heshtjen e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili nuk reagoi aspak, megjithëse kishte detyrimin të ndërhynte si kryesues i seancës dhe sipas Kodit Etik të miratuar nga Kuvendi.
“Kërkojmë falje publike. Askush nuk e meriton të fyehet, të kërcënohet apo të dëgjojë fjalë të rënda. Këtë reagim e kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, për të treguar se është i pari ndër të barabartë”, përfunduan ata.