Shpëtohen dy persona në Liqenin e Ohrit, për shkak të erës së fortë po largoheshin në mënyrë të pakontrolluar nga bregu





MPB Maqedoni njofton se dje (28.07.2026), në orën 19:55, në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare të Liqenit të Ohrit në Ohër u lajmërua se dy persona, të cilët po lundronin me dërrasa -SUP në ujërat e Liqenit të Ohrit, rreth 1.000 metra larg bregut të liqenit, përballë autokampit në Ohër, po kërkonin ndihmë duke bërtitur.

Nëpunës policorë të policisë liqenore janë nisur menjëherë drejt vendit të lajmëruar dhe, rreth 2.000 metra larg bregut, i vunë re dy personat mbi dërrasat, të cilët përpiqeshin të mbanin drejtimin e lundrimit dhe kërkonin ndihmë.

“Nëpunësit policorë ndërhynë menjëherë dhe ndërmorën masa për transferimin e tyre të sigurt në varkat policore, pas çka u konstatua se bëhej fjalë për E.S. (19) dhe I.A. (18), të dyja nga Ohri. Për shkak të përkeqësimit të papritur të kushteve atmosferike, me erë të fortë dhe dallgë të mëdha, ato po largoheshin gjithnjë e më shumë nga bregu dhe nuk kishin mundësi të ktheheshin. Më pas, ato u transportuan në mënyrë të sigurt në ambientet e policisë liqenore”.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë në ujë, SPB Ohër dhe policia liqenore u bëjnë thirrje të gjithë notarëve dhe përdoruesve të dërrasave SUP ose të barkave me pedale që të mos largohen nga zonat e shënuara të sigurisë dhe të respektojnë masat e sigurisë”, thonë nga MPB.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo