Rubio: Marrëveshja mbi bashkëpunimin bërthamor me Arabinë Saudite do të kalojë përmes Kongresit





Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha sot se një marrëveshje bashkëpunimi bërthamor me Arabinë Saudite do të kalojë përmes miratimit të Kongresit, duke shtuar se marrëveshja do të ketë masa mbrojtëse, transmeton Anadolu.

“Çdo marrëveshje që do të bëjmë me çdo vend në botë për energjinë bërthamore civile do të jetë ajo që do të ketë masa mbrojtëse për të siguruar që ajo të mos kthehet në një program armësh”, u tha Rubio gazetarëve në Filipine.

“Kur vendet vendosin se duan të ndjekin një program bërthamor paqësor, ne preferojmë që ata ta bëjnë atë me ne. Arabia Saudite ka qenë partner i rëndësishëm strategjik për ne. Do të kishte kuptim që ne të hynim në një marrëveshje të tillë”, shtoi ai.

Rubio tha se “çdo marrëveshje që ne lidhim me çdo vend do të duhet të kalojë përmes një procesi rishikimi të Kongresit dhe kështu ne do të sigurojmë që për të marrë miratimin e Kongresit, do të na duhet t’i kemi ato masa mbrojtëse”.

SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi bërthamor, tha të mërkurën Departamenti Amerikan i Energjisë.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright dhe ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit paqësor bërthamor, e njohur zakonisht si “Marrëveshja 123”, së bashku me një marrëveshje dypalëshe mbrojtëse, tha agjencia në një deklaratë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo