Psikologjia e nënshtrimit: pse ndryshimi tremb edhe ata që do të përfitonin prej tij

Në pranverën e vitit 1981, kur studentët e Universitetit të Prishtinës dolën fillimisht për kushte më të mira jetese dhe më pas ngritën kërkesa politike për barazi dhe status republike për Kosovën, kundërshtarët e tyre nuk ishin vetëm aparati shtetëror jugosllav, policia apo udhëheqja komuniste në Beograd. Një pjesë e reagimit më të ashpër erdhi nga vetë shqiptarët. Nga profesorë që i quanin studentët aventurierë; nga funksionarë shqiptarë që i etiketonin si kundërrevolucionarë apo nga punonjës administrate që besonin se protestat po rrezikonin stabilitetin. Nga njerëz që kishin ndërtuar jetën, karrierën dhe identitetin e tyre brenda sistemit jugosllav dhe që shihnin çdo sfidë ndaj tij si kërcënim personal. Madje disa pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 kanë rrëfyer se përveç përballjes me policinë, ata e goditeshin edhe nga banorët e apartamenteve në qendër të Prishtinës të cilët hidhnin ujë të nxehtë gurë, vazo lulesh dhe sende të rënda mbi demonstruesit shqiptarë. 
Ky episod i historisë së Kosovës ilustron një nga paradokset më të mëdha të historisë politike ku kryengritësit apo reformatorët nuk përballen vetëm me pushtetin por edhe me njerëzit që ata synojnë të çlirojnë. Këta që dolën kundër protestave nuk ishin bashkëpunëtorë të verbër të Beogradit në kuptimin klasik; shumë prej tyre ishin njerëz që e konsideronin veten patriotë. Megjithatë, në çastin vendimtar, pjesa kryesore e elitës shqiptare zgjodhi të mbetej besnike ndaj dogmës së “vëllazërim-bashkimit”, edhe kur ajo po përdorej për të fshehur pabarazinë ekonomike, diskriminimin politik dhe represionin ndaj shqiptarëve.
Agresiviteti i tyre mund të kuptohet edhe si mekanizëm vetëmbrojtjeje psikologjike. Studentët nuk po sfidonin vetëm Jugosllavinë; po turpëronin edhe ata që kishin ndërtuar jetën mbi bindjen se sistemi mund të reformohej pa u ballafaquar me natyrën e tij. Pranimi se studentët kishin të drejtë do të thoshte të pranonin se ata vetë kishin heshtur, ishin përshtatur dhe kishin përfituar brenda një rendi që diskriminimin e paraqiste si barazi. Prandaj ishte më e lehtë ta quanin protestuesin provokator, nacionalist apo armik, sesa të shikonin të vërtetën e hidhur: “vëllazërim-bashkimi” nuk kishte prodhuar barazi reale dhe shteti që pretendonte se i mbronte, më pas i goditi protestat me polici, ushtri, burgime, spastrime nga universiteti dhe largime nga vendet e punës.
Kjo është arsyeja pse ai që avancon lirinë shpesh provokon më shumë zemërim te të nënshtruari sesa te sundimtari. Sundimtari mbron privilegjin; i nënshtruari mbron kuptimin që i ka dhënë durimit të vet. Protestuesi bëhet një pasqyrë e padurueshme, sepse tregon se nënshtrimi nuk ishte e vetmja zgjedhje e mundshme. Ai nuk e ekspozon vetëm padrejtësinë e sistemit, por edhe arsyetimet me të cilat njerëzit kishin mësuar të jetonin brenda tij. Liria është e re dhe e pasigurt; nënshtrimi është i njohur. Prandaj, në fillim, shumë veta nuk e sulmojnë zinxhirin, por njeriun e parë që guxon ta këputë.
E njëjta gjë ripërjetohet në Shqipëri 10 vjet më pas. Nuk është rastësi që në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, mbështetja më e madhe për PPSH-në erdhi pikërisht nga zonat më të varfra rurale. Ishin zona ku njerëzit kishin jetuar për dekada pa liri lëvizjeje, të lidhur me kooperativën si dikur bujkrobërit me çifligun. Punonin tokën, prodhonin grurë, por në shumë raste ushqeheshin me bukë misri, ndërsa bukën e grurit e blinin fshehurazi në qytete sa herë u jepej mundësia. Mjerimi ishte normalizuar aq shumë, sa liria u perceptua jo si një mundësi, por si një rrezik. Kur një regjim arrin ta bëjë varfërinë, nënshtrimin dhe mungesën e alternativës të duken normale, atëherë ai nuk ka më nevojë të mbështetet vetëm te represioni. Status quo-ja fillon të mbrohet edhe nga ata që objektivisht do të kishin më shumë për të fituar nga ndryshimi.
Ky është një paradoks që është vërejtur shpesh e nuk ka të bëj vetëm me shqiptarët. Ai ndihmon të kuptohet edhe pse lëvizje bashkëkohore si Revolucioni i Flamingove ndeshin rezistencë pikërisht nga njerëz që objektivisht do të përfitonin më shumë prej tyre. Në historinë e lëvizjeve për liri, reformatorët rrallë janë përballur vetëm me pushtetin. Ata janë ndeshur shpesh me dyshimin, frikën, madje edhe armiqësinë e vetë njerëzve në emër të të cilëve pretendonin se luftonin. Në Shtetet e Bashkuara, shumë afro-amerikanë e shihnin lëvizjen për të drejtat civile si tepër konfrontuese dhe kishin frikë se protestat do të sillnin vetëm më shumë dhunë. Në Evropën Lindore, disidentët që sfiduan regjimet komuniste u izoluan fillimisht nga kolegët dhe fqinjët e tyre përpara se të burgoseshin nga shteti. Në Amerikën Latine, regjimet ushtarake nuk mbijetuan vetëm falë ushtrisë; ato mbijetuan edhe sepse një pjesë e shoqërisë ishte bindur se çdo alternativë do të sillte kaos, luftë civile ose kolaps ekonomik.
Ky fenomen nuk mund të shpjegohet vetëm përmes interesave materiale, llogaritjeve politike apo mekanizmave të represionit, por kërkon të kuptohet edhe përmes psikologjisë së nënshtrimit. Kjo është arsyeja pse studiuesi Erich Fromm, në librin e tij Arratisja nga Liria, duke analizuar ngritjen e fashizmit në Evropë, arriti në përfundimin se liria nuk është vetëm një bekim por edhe barrë. Ne kemi prirjen të mendojmë se çdo njeri dëshiron të jetë i lirë. Fromm na paralajmëron se kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Liria nënkupton përgjegjësi çka do të thotë të zgjedhësh vetë, të mbash pasojat e zgjedhjeve të tua dhe të jetosh pa garancitë që të ofron autoriteti. Për shumë njerëz, sidomos për ata që kanë kaluar gjithë jetën në sisteme autoritare, ky fakt është burim ankthi. Njerëzit nuk mbrojnë gjithmonë atë që u shërben më mirë; shpesh mbrojnë atë me të cilën janë mësuar. Liria kërkon përgjegjësi, pasiguri dhe ndryshim, ndërsa sistemi i vjetër, sado shtypës të ketë qenë, ofronte një ndjenjë të njohur.
Këtë ide e zhvillon edhe pedagogu brazilian Paulo Freire në veprën e tij Pedagogjia e të Shtypurve. kur argumenton se sistemi nuk kontrollon vetëm trupat e njerëzve por edhe imagjinatën e tyre. Të shtypurit fillojnë ta shohin botën përmes syve të shtypësit. Ata e matin realitetin me standardet që sistemi u ka mësuar. Prandaj ndryshimi nuk perceptohet gjithmonë si çlirim. Shpesh perceptohet si kërcënim ndaj rendit të vetëm që njerëzit njohin. Freire përdor një formulim që mbetet ndër më të fuqishmit në literaturën politike duke thënë se të shtypurit “strehojnë brenda vetes shtypësin”. Ai nuk nënkupton se viktima bëhet automatikisht tiran. Ai nënkupton se mënyra e të menduarit e sistemit vazhdon të jetojë edhe pasi sistemi fillon të lëkundet. Kjo është arsyeja pse revolucioni nuk është vetëm proces politik por edhe proces pedagogjik. Njerëzit duhet të mësojnë përsëri të imagjinojnë lirinë.
Kjo perspektivë ndihmon të kuptohet edhe një fenomen që shpesh keqinterpretohet në debatet publike. Kur një lëvizje qytetare si kjo e Flamingove, ndesh rezistencë nga njerëz që objektivisht do të përfitonin prej saj, tundimi është t’i shpjegosh reagimet me propagandë, interes ekonomik apo mungesë informacioni. Të gjitha këto luajnë rol, por nuk mjaftojnë. Shpesh rezistenca buron edhe nga kostoja psikologjike e ndryshimit. Të pranosh se një sistem ka qenë i padrejtë nuk do të thotë vetëm të ndryshosh mendim për politikën; do të thotë të rishikosh një pjesë të biografisë tënde, kompromiset që ke bërë, heshtjet që ke mbajtur dhe arsyetimet me të cilat ke jetuar për vite me radhë. Për shumë njerëz, ky është një proces shumë më i dhimbshëm sesa të vazhdojnë të mbrojnë status quo-në. Historia tregon se pothuajse çdo lëvizje e rëndësishme për liri ka kaluar fillimisht përmes kësaj faze: është parë si e papërgjegjshme, destabilizuese, utopike ose e rrezikshme, përpara se idetë e saj të bëheshin pjesë e normales dhe mandej protagonistët të thirreshin heronj.
Edhe Revolucioni i Flamingove nuk bën përjashtim nga ky mekanizëm. Një pjesë e kritikëve të tij më të zëshëm nuk janë domosdoshmërisht përfitues të modelit aktual të zhvillimit. Përkundrazi, shumë prej tyre do të ishin ndër përfituesit më të mëdhenj të një shteti me më shumë transparencë e demokraci, më pak korrupsion e nepotizëm, institucione më të forta e konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, siguri juridike e barazi para ligjit. Megjithatë, ndryshimi i propozuar prej lëvizjes i detyron të vënë në diskutim bindje dhe zgjedhje të krijuara gjatë viteve. Pikërisht kjo e bën rezistencën e tyre të kuptueshme nga pikëpamja psikologjike, edhe nëse nuk e bën domosdoshmërisht të arsyeshme.
Ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm që na lënë Fromm dhe Freire. Lufta për lirinë nuk zhvillohet vetëm kundër institucioneve të pushtetit; ajo zhvillohet edhe kundër zakoneve mendore që pushteti ka ndërtuar ndër vite. Regjimet mund të rrëzohen brenda pak ditësh, por mënyra e të menduarit që i ka mbajtur në këmbë mund të mbijetojë për dekada. Prandaj ndryshimi i vërtetë nuk matet vetëm me rotacionin politik, por me aftësinë e një shoqërie për të çliruar imagjinatën e saj dhe për të besuar se një rend tjetër është i mundur.
Prandaj sot sfida më e madhe e Revolucionit të Flamingove nuk është vetëm të bindë qytetarët se modeli aktual ka dështuar, madje kjo është pjesa më e lehtë. Sfida e vërtetë është t’i bindë se një alternativë është e mundur dhe se liria nuk është kërcënim, por përgjegjësi. Sepse historia na mëson se revolucioni vendimtar nuk është ai që pushton institucionet. Në këtë kuptim, reagimet e forta kundër Revolucionit të Flamingove nuk janë domosdoshmërisht provë e dështimit të tij. Përkundrazi, ato mund të tregojnë se lëvizja ka prekur pikërisht nyjet më të ndjeshme të status quo-së dhe bindjet më të rrënjosura të shoqërisë. Çdo lëvizje që sfidon një rend të konsoliduar nuk vë në diskutim vetëm interesat e pushtetit, por edhe mënyrën se si shumë njerëz e kanë kuptuar dhe justifikuar realitetin për vite me radhë. Pikërisht për këtë arsye, rezistenca nuk duhet parë vetëm si pengesë por edhe si tregues se lëvizja ka prekur telat e duhur. Sfida e saj nuk është thjesht të denoncojë problemet e sistemit, por të ndihmojë qytetarët të kapërcejnë pengesën më të vështirë: të besojnë se një alternativë është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundur. Prandaj revolucioni më i rëndësishëm nuk është ai që ndryshon qeverinë, por ai që bind njerëzit se status quo-ja nuk është ligj i natyrës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo