Posta e Kosovës promovoi solemnisht pullën postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

Posta e Kosovës, më 3 korrik 2026, organizoi ceremoninë e promovimit të emisionit të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nderuar jubileun historik të një prej shteteve mike dhe partnerëve më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, me delegacion qeveritar, si dhe e Ngarkuara me Punë e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, znj. Anu Prattipati, të cilët u mirëpritën nga Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, znj. Nora Rraci.

Në hapje të ceremonisë, Kryeshefja Rraci uroi mirëseardhje dhe shprehu falënderim për të gjithë të pranishmit, duke theksuar se për Postën e Kosovës një pullë postare nuk është vetëm element filatelik, por histori në miniaturë dhe dëshmi e ruajtjes së kujtesës historike e identitetit shtetëror. Ajo vlerësoi se ky emision filatelik simbolizon miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe mbështetjes reciproke.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, vlerësoi partneritetin e fuqishëm dhe aleancën e qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme amerikane ka qenë vendimtare në proceset shtetformuese, forcimin e institucioneve demokratike, si dhe në sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Ai nënvizoi se pulla postare e promovuar sot nuk përfaqëson vetëm shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, por edhe afirmimin simbolik të miqësisë së përhershme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuar mbi vlerat universale të lirisë, demokracisë, paqes dhe barazisë. Kryeministri Kurti vlerësoi gjithashtu rolin e Filatelisë së Postës së Kosovës në promovimin e historisë, identitetit shtetëror dhe kujtesës kolektive të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, znj. Anu Prattipati, përshëndeti Postën e Kosovës për këtë nderim të veçantë përmes emisionit filatelik, duke vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet popullit Kosovës dhe SHBA-së mbeten të forta dhe të qëndrueshme, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe partneritet afatgjatë.

Në kuadër të ceremonisë u realizua edhe dorëzimi zyrtar i pullës postare të kornizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, për mysafiren e nderit, znj. Anu Prattipati, si simbol i respektit, mirënjohjes dhe miqësisë së përhershme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Përmes këtij emisioni filatelik dhe promovimit të tij solemn, Posta e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj në promovimin e historisë, kulturës, vlerave shtetërore dhe miqësive strategjike të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke ftuar njëkohësisht koleksionistët, bizneset dhe qytetarët që ta bëjnë pjesë të koleksioneve të tyre këtë botim me vlerë të veçantë historike dhe simbolike.

Me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Posta e Kosovës u përcolli urimet më të sinqerta popullit mik amerikan, duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Posta e Kosovës promovoi solemnisht pullën postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo