Para sfidës me Argjentinën, Xhaka zbulon strategjinë ndaj Messit

Kombëtarja e Zvicrës ka mbajtur konferencën për shtyp në prag të përballjes me Argjentinën në çerekfinalen e Kupës së Botës, e cila zhvillohet në orën 03:00 të së hënës në Kansas City.

Një nga temat kryesore ishte mënyra se si zviceranët synojnë ta ndalin Lionel Messin, i cili deri tani ka realizuar tetë gola në këtë Botëror.

Kapiteni Granit Xhaka tha se mënyra më e mirë për ta kufizuar ndikimin e Messit është t’ia pamundësojnë posedimin e topit.

“Do të japim maksimumin dhe do të përpiqemi ta kontrollojmë lojën. Nëse ai nuk e ka topin, nuk mund të bëjë shumë”, u shpreh Xhaka.

Edhe përzgjedhësi Murat Yakin u pyet për planin ndaj yllit argjentinas, duke theksuar se nuk ekziston një formulë e vetme për ta ndalur.

“Ka disa zgjidhje. Duhet të jemi të bashkuar, të ushtrojmë presion dhe të japim maksimumin. Gjithçka do të vendoset në fushë”, deklaroi Yakin.

Xhaka foli edhe për eliminimin nga Argjentina në Botërorin e vitit 2014, por theksoi se këtë sfidë nuk e sheh si hakmarrje.

“Nuk e quaj revansh. Është një ndeshje krejt tjetër dhe ne duam ta fitojmë. Dua të vazhdoj të ëndërroj, sepse ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet. Për ta arritur këtë, duhet të japim gjithçka në fushë”, tha ai.

Mesfushori kujtoi se Botërori i vitit 2014 ishte i pari në karrierën e tij dhe tha se ende e mban mend me krenari atë turne, duke veçuar edhe shokun e skuadrës Ricardo Rodriguez, me të cilin ka zhvilluar mbi 140 ndeshje për Zvicrën.

Sa i përket temperaturave të larta që priten në Kansas City gjatë ndeshjes, Xhaka u shpreh se ato nuk janë arsye për t’u ankuar.

“Është privilegj të luajmë në këtë fazë të Botërorit. Pas 72 vjetësh kemi mundësinë të luajmë një çerekfinale kundër kampionëve të botës. Jemi krenarë, por nuk kemi ardhur vetëm për të marrë pjesë. Do të japim gjithçka”, përfundoi kapiteni i Zvicrës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo