Në vend të dënimit, ministri Demo Berisha arsyeton deklaratën e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës
Ministri serb për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, deklaroi se qëndrimi i ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, nuk përfaqëson politikën zyrtare të Serbisë, e cila sipas tij dënon qartë çdo formë të spastrimit etnik dhe angazhohet për paqe, dialog dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Berisha tha se deklarata e Paunoviqit duhet parë në kontekst, duke theksuar se ajo ka folur nga përvoja e saj personale, pasi pretendon se edhe vetë ka qenë viktimë e spastrimit etnik.
“E kuptoj që deklarata e saj ka shkaktuar reagime në opinion, por është e rëndësishme të merren parasysh rrethanat në të cilat është dhënë. Ajo shpreh një përvojë të dhimbshme familjare dhe jo qëndrimin zyrtar të Republikës së Serbisë”, thuhet në reagimin e Berishës.
Ai theksoi se politika e Serbisë bazohet në paqe, dialog, respekt të ndërsjellë dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie kombëtare apo fetare.
“Sërbia dënon vazhdimisht çdo formë të spastrimit etnik, përndjekjes, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të mbyllim sytë para faktit se serbët në Kosovë, sipas tij, prej vitesh janë të ekspozuar ndaj presioneve dhe cenimit të të drejtave themelore të njeriut”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se ministria që drejton do të vazhdojë të punojë për forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe dialogut shoqëror, duke vlerësuar se respekti i ndërsjellë, komunikimi i përgjegjshëm dhe dinjiteti njerëzor janë vlera mbi të cilat Serbia synon të ndërtojë të ardhmen.
Kujtojmë se ministrja Snezhana Paunoviq, në një intervistë për Kurir, deklaroi se “në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që ka shkaktuar reagime dhe dënime të shumta.