Bonnie Tyler, këngëtarja e njohur uellsiane, ka vdekur në moshën 75 vjeçare. Lajmi për ndarjen e saj nga jeta u bë me dije përmes një postimi në profilin e saj në rrjete sociale.
“Familja dhe ekipi i Bonnie-s me zemër të thyer njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në spital në Portugali si pasojë e sëmundjes për të cilën po kurohej.”, thuhej në reagim.
Në maj, Tyler iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë në një spital në Portugali, ku jetonte. Më vonë ajo u fut në koma të induktuar në një përpjekje për të ndihmuar në shërimin e saj. Ajo u nxor më pas nga koma, por një përfaqësues tha se ajo ishte “shumë e sëmurë dhe në kujdes intensiv”.
E famshme për hitet e saj të viteve ’80, “Total Eclipse Of The Heart” dhe “Holding Out For A Hero”, Tyler u nominua tre herë për çmimin Grammy dhe përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Festivalin e Këngës në Eurovision 2013.
Karriera e saj muzikore pati një fillim modest, duke kënduar versione të interpretuara në klube lokale ndërsa punonte në një dyqan ushqimor. Por një person e dëgjoi duke kënduar këngën “Band of Gold” të Freda Payne një mbrëmje dhe regjistroi një demo për t’ua prezantuar shtëpive diskografike. Pas dy vitesh, RCA përfundimisht nënshkroi kontratë dhe ajo mori emrin e saj skenik Bonnie Tyler.
Kënga e saj e parë dështoi, por e dyta, Lost in France hyri në 10 vendet më të mira në Mbretërinë e Bashkuar, dhe kënga pasardhëse “More Than a Lover” ishte gjithashtu një hit.