Miliona nga Serbia për të akuzuarin e sulmit në Banjskë – njohësit paralajmërojnë pasoja ndërkombëtare për Serbinë!
Sipas regjistrit të bizneseve në Serbi, kompania e Radulle Steviqit është e regjistruar në një ndërtesë në qendër të Zveçanit, në veri të Kosovës.“Çdo dyshim për favorizimin e kompanive të lidhura me individë të akuzuar për ngjarje që kanë prodhuar pasoja serioze për sigurinë rajonale”“Ky rast duhet të shërbejë si dëshmi shtesë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Serbinë për t’i dorëzuar Milan Radoiçiqin”
Hulumtimet kanë treguar se kompania “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, ka përfituar kontrata publike me vlerë miliona euro nga institucionet e Serbisë, edhe pse pronari i saj akuzohet nga autoritetet e Kosovës për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë dhe për pastrim parash.
Sipas dokumenteve të analizuara, kompania ka vazhduar të fitojë tenderë shtetërorë edhe pas sulmit në Banjskë. Vetëm gjatë këtij viti janë nënshkruar kontrata të reja me vlerë mbi një milion euro, ndërsa në disa projekte janë ngritur dyshime nëse punimet janë realizuar ashtu siç figurojnë në dokumentet zyrtare.
Gjithashtu, Steviqi dhe kompania e tij ndodhen prej vitesh nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar dhe me Millan Radoiçiqin.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës e akuzojnë atë për pastrim parash dhe për ndihmë në fshehjen e pasurisë së lidhur me rastin e Banjskës.
Artikulli thekson se institucionet serbe nuk kanë dhënë shpjegime të plota se pse kompania ka vazhduar të fitojë kontrata publike, pavarësisht akuzave dhe sanksioneve ndërkombëtare ndaj pronarit të saj. Kjo ka ngritur pikëpyetje për transparencën dhe llogaridhënien në procesin e prokurimeve publike.
Në përfundim, hulumtimi nxjerr në pah se kompania vazhdon të përfitojë fonde shtetërore, ndërsa pronari i saj mbetet nën akuza serioze në Kosovë.
Rasti ka ngjallur shqetësime për mënyrën se si trajtohen kompanitë dhe individët e lidhur me rastin e Banjskës, si dhe për përdorimin e mjeteve publike në Serbi.
Halili: Ky rast mund të cenojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
ImageNIjazi HaliliFoto galeri
Ai thotë se në aspektet politike, nëse këto gjetje konfirmohen, financimi i kompanive të lidhura me Milan Radoiçiqin mund të tregojë mungesë të vullnetit institucional dhe të ngrejë shqetësime politike, juridike dhe të sigurisë.
“Nëse konfirmohen gjetjet e publikuara nga Radio Evropa e Lirë, sipas të cilave kompani të lidhura me Milan Radoiçiq kanë vazhduar të përfitojnë kontrata publike nga institucionet shtetërore të Serbisë edhe pas ngritjes së aktakuzës nga autoritetet e Republikës së Kosovës, atëherë kjo çështje tejkalon kufijtë e një problemi të zakonshëm të prokurimit publik dhe shndërrohet në një sfidë serioze politike, juridike dhe të sigurisë rajonale.
Nga këndvështrimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i procesit të integrimit evropian, një praktikë e tillë mund të interpretohet si mungesë e vullnetit institucional për t’u distancuar nga individë apo struktura që ndërlidhen me veprimtari të rënda kriminale dhe me akte që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Nëse institucionet shtetërore vazhdojnë të financojnë subjekte ekonomike të lidhura me persona të akuzuar për vepra të rënda penale, krijohet perceptimi se ekziston një tolerancë institucionale ndaj rrjeteve të ndikimit politik dhe ekonomik, të cilat mund të jenë të ndërthurura me forma të krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Tutje, profesori shton se nëse këto pretendime vërtetohen, ato mund të dëmtojnë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe të ulin besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një situatë e tillë mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Një ndër kushtet themelore të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i pavarësisë së institucioneve, lufta efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimi i standardeve të transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik. Çdo dyshim për favorizimin e kompanive të lidhura me individë të akuzuar për ngjarje që kanë prodhuar pasoja serioze për sigurinë rajonale mund të ndikojë negativisht në vlerësimin që institucionet evropiane bëjnë për përparimin e Serbisë në përmbushjen e këtyre kritereve.
Njëkohësisht, ky rast mund të cenojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve serbe në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor për luftimin e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë mbështetet mbi parimin e besimit reciprok ndërmjet institucioneve. Nëse krijohet përshtypja se fondet publike mund të përdoren, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për të mbështetur subjekte të lidhura me persona të akuzuar për vepra të rënda penale, atëherë ky besim rrezikon të zbehet, duke ndikuar edhe në cilësinë dhe intensitetin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë”, thekson profesori.
Profesori përfundon se ky rast mund të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Serbisë, ndërsa thekson se, edhe pse duhet respektuar prezumimi i pafajësisë, institucionet publike duhet të veprojnë me transparencë, integritet dhe përgjegjësi në përdorimin e fondeve shtetërore.
“Nga aspekti politik, ky rast mund të shërbejë si argument shtesë në diskutimet ndërkombëtare për nevojën e monitorimit më rigoroz të zbatimit të standardeve të sundimit të ligjit në Serbi. Për më tepër, ai mund të ndikojë në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me seriozitetin e angazhimit të shtetit serb në luftën kundër krimit të organizuar dhe në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Përfundimisht, është e rëndësishme të theksohet se prezumimi i pafajësisë mbetet një nga parimet themelore të së drejtës dhe duhet të respektohet në çdo rast. Megjithatë, po aq themelor është edhe detyrimi i institucioneve publike që, në administrimin e fondeve shtetërore, të veprojnë me standardet më të larta të transparencës, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. Vetëm një qasje e tillë mund të forcojë besimin e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë në sundimin e ligjit, në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në kredibilitetin e shtetit”, përfundoi Halili për “Bota sot”.
Bajraktari: Lidhjet e Radoiçiqit me autoritetet serbe, këto hulumtime vetëm sa i bëjnë edhe më të dukshme këto raport
Ndërsa, në aspektin juridik ka folur avokati Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim me “Bota sot”, i cili tha se ky hulumtim forcon dyshimet për lidhjet e Milan Radoiçiqit me autoritetet serbe dhe mbështet pretendimet se shteti serb ka pasur rol në sulmin në Banjskë.
“Lidhjet e Radoiçiqit me autoritetet serbe e specifikisht me presidentit Vuçiq, janë evidente, këto hulumtime vetëm sa i bëjnë edhe më të dukshme këto raporte, çka natyrisht se vetëm sa forcohen tezat se prapa sulmit terrorist në Bansjkë qëndron shteti serb dhe politika e Vuçiqit”, potencoi avokati.
Mes tjerash, avokati potencon se ky rast duhet të shërbejë si dëshmi shtesë që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Serbinë për t’i dorëzuar Milan Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë para drejtësisë në Kosovë.
“Prandaj ky para së gjithash duhet me qenë një dëshmi shtesë që bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi e BE-ja në veçanti ta mbajnë përgjegjës shtetin serb duke e detyruar atë që Radoiçiqin dhe të tjerët ti sjellin para organeve të drejtësisë së Kosovës për t’u ballafaquar me akuzat”, përmbylli Bajraktari për “Bota sot”.