Mexhiti priti Ambasadorin e Polonisë, Mariusz Brymora: Kontributi i Adolf Ciborowskit mbetet pjesë e identitetit të Shkupit
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mirëpriti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Polonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mariusz Brymora, i cili vizitoi Komunën e Çairit pas vendosjes së pllakës përkujtimore kushtuar urbanistit dhe arkitektit të njohur polak, Adolf Ciborowski.
Gjatë takimit u bisedua për kontributin e jashtëzakonshëm të Ciborowskit në rindërtimin e Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, me theks të veçantë në angazhimin e tij për ruajtjen e Çarshisë së Vjetër, si një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit urban, historik dhe kulturor të qytetit.
Mexhiti theksoi se nderimi i figurave që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e Shkupit është një shprehje mirënjohjeje, por edhe një dëshmi e përkushtimit për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fund të takimit, Kryetari Mexhiti e falënderoi Ambasadorin Brymora për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Polonisë.
