Një mërgintar i ka shkruar redaksisë së portalit Presheva.com, lidhur me maltretimin dhe zhvatjen që ka përjetuar në pikën kufitare Batrovci nga ana e policisë serbe.
Ja letra e plotë:
Përshëndetje redaksi preshevacom,
Po ju shkruaj për të ndarë një përvojë shumë të rëndë që më ka ndodhur mua dhe kolegëve të mi gjatë udhëtimit nga Belgjika drejt Kosovës, në pikën kufitare Batrovci, në hyrje të Serbisë.
Gjatë kontrollit nga policia serbe, na kontrolluan telefonat mobil. Pasi në telefonin e njërit prej kolegëve u gjet një fotografi me shqiponjën dykrenare, ndaj nesh u ushtrua presion i madh psikologjik. Na vendosën prangat dhe na kërcënuan se do të përfundonim në burg për 30 ditë.
Pas disa orësh, sipas përvojës sonë, na morën 1.000 euro dhe vetëm më pas na lejuan të vazhdonim udhëtimin.
Edhe unë më parë nuk u kam besuar plotësisht rrëfimeve të ngjashme, por pasi e përjetova vetë këtë situatë, kuptova se raste të tilla mund të ndodhin. Për këtë arsye, u bëj thirrje bashkatdhetarëve që, nëse kanë mundësi, ta shmangin udhëtimin përmes Serbisë.
Ju lutem ta publikoni këtë dëshmi në mënyrë që të informohen sa më shumë qytetarë dhe të tregojnë kujdes gjatë udhëtimeve.
Kjo është dëshmia ime personale dhe jam i gatshëm të jap më shumë hollësi rreth rastit.