Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë vit priten rendimente mesatare prej 4 deri në 5 tonë grurë për hektar, ndërsa procesi i korrje-shirjeve pritet të përfundojë deri në fund të korrikut, ose në javën e parë të gushtit në disa zona, në rast të reshjeve.
Këto deklarata Kurti i bëri të shtunën gjatë një vizite te fermeri Malësor Sejdiu në Podujevë, ku pa nga afër zhvillimin e fushatës së korrje-shirjeve.
Kurti e cilësoi fermerin Sejdiu si shembull të punës dhe përkushtimit, duke thënë se investimet serioze, planifikimi afatgjatë dhe mbështetja institucionale po e bëjnë bujqësinë në Kosovë më moderne dhe më konkurruese.
“Sivjet, në Republikën e Kosovës janë mbjellur gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje mund të shkoi edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës”, ka thënë kryeministri në detyrë Kurti.
Po ashtu, ai njoftoi se paketa e subvencioneve për vitin 2026 parasheh rritje të mbështetjes për fermerët, duke përfshirë 100 euro shtesë për hektarin e parë të çdo ferme, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë nga mosha 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.