Seanca e 15-të e Këshillit Komunal të Tetovës është shoqëruar me tensione, pasi këshilltarët e BDI-së kanë bllokuar punimet e saj në shenjë proteste lidhur me çështjen e emrave të rrugëve në qytet informon Tetovasot.
Këshilltarët e BDI-së u shfaqën në sallë me pankarta në duar, përmes të cilave shprehën kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimeve të fundit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve.
Në pankartat e vendosura në sallën e Këshillit shkruheshin mesazhet:
“Historia nuk abrogohet”
“Respekto zërin e qytetarëve”
“Dorëheqje”
Me këtë aksion, opozita akuzon kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, se nuk ka mbrojtur vendimin për emërtimin e rrugëve dhe nuk ka respektuar vullnetin e qytetarëve.
Bllokimi i seancës vjen në një periudhë tensionesh politike në Tetovë, pas protestave të organizuara lidhur me anulimin e emrave të disa rrugëve nga Gjykata Kushtetuese.
Tetovasot do të ndjekë zhvillimet dhe do t’ju informojë për qëndrimet e të gjitha palëve.