Kallëzime penale ndaj tre personave në rastin ku një stomatolog dyshohet se rregullonte kalimin e provimeve me para
Njësia për Krim Financiar pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë ka ngritur dje kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj tre personave.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kallëzimi është ngritur ndaj A.T. (27) nga Manastiri për veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndaj S.Ç. (56) nga Gostivari për “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, si dhe ndaj S.E. (63) nga Shkupi për veprën penale “marrje ryshfeti”.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia te i dyshuari i dytë dhe i tretë janë gjetur dhe sekuestruar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
Sipas MPB-së, A.T., si studente e Fakultetit të Stomatologjisë, me qëllim që të pajisej me certifikatën për kalimin e provimit profesional për punonjësit shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, gjatë muajit dhjetor 2025, pas komunikimeve të shumta përmes platformës Viber, i ka transferuar para në llogarinë bankare të S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve.
Paratë, sipas hetimeve, i janë dhënë S.Ç. me qëllim që ai të ndikonte te S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Provimin Profesional pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Si rezultat i këtij ndikimi, A.T. më 17 dhjetor 2025, në sesionin e dhjetorit, e ka kaluar provimin profesional dhe është pajisur me certifikatë, ndonëse nuk e posedonte njohurinë e nevojshme.
MPB-ja bën të ditur se hetimi për këtë rast është hapur mbi bazën e provave të siguruara nga analiza e të dhënave të nxjerra nga telefonat mobil të sekuestruar gjatë një procedure tjetër hetimore që Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin po zhvillon kundër një grupi të organizuar kriminal të dyshuar për import, shpërndarje dhe përdorim të paligjshëm të barnave dhe pajisjeve mjekësore.