Ilir Hasani në mbështetje të Rami Mislimit: “Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk kanë vend në një shoqëri demokratike”
Deputeti Ilir Hasani ka shprehur solidaritet të plotë me gazetarin Rami Mislimi, duke dënuar çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj gazetarëve dhe duke kërkuar reagim institucional ndaj rastit.
Në një reagim publik, Hasani thekson se përballja me kritikën duhet të bëhet përmes argumenteve dhe jo përmes frikësimit apo kërcënimeve.
“Nëse një zyrtar publik zgjedh kërcënimin në vend të argumentit, atëherë kjo flet më së miri për gjendjen e tyre politike. Humbja e mbështetjes nuk kompensohet me frikësim të gazetarëve”, ka shkruar Hasani.
Ai vlerëson se gjuha e urrejtjes, fyerjet dhe kërcënimet janë kthyer në një problem shqetësues në hapësirën publike, duke përfshirë debatet politike dhe mediatike.
Sipas tij, institucionet duhet ta trajtojnë me seriozitet çdo rast të kërcënimit ndaj gazetarëve apo qytetarëve dhe të japin një mesazh të qartë se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Në fund të reagimit të tij, Ilir Hasani i ka shprehur mbështetje gazetarit Rami Mislimi, duke theksuar se ai ka mbështetjen e tij të plotë.
Pretendimet për kërcënime ndaj gazetarit Rami Mislimi mbeten për t’u trajtuar dhe verifikuar nga institucionet kompetente.