Fitorja dramatike 2-1 e Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ka bërë që një rekord 44-vjeçar të marrë fund në finalen e së dielës.
Shpresat e Anglisë për të arritur vetëm finalen e dytë në historinë e Kupës së Botës u shuan në minutat e fundit të sfidës.
“Tre Luanët” kaluan në epërsi në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, i cili realizoi pas një asistimi të shkëlqyer nga Morgan Rogers.
Megjithatë, skuadra e Thomas Tuchelit nuk arriti ta ruante avantazhin.
Enzo Fernandez barazoi rezultatin në minutën e 85-të, ndërsa Lautaro Martinez, i futur nga banka rezervë, shënoi golin e fitores në minutën e 92-të, duke e dërguar Argjentinën në finalen e tretë në katër edicionet e fundit të Kupës së Botës.
Goli i Lautaro Martinezit bëri që Interi të vazhdojë një rekord të jashtëzakonshëm.
Klubi italian do të ketë sërish një futbollist në finalen e Kupës së Botës, duke e çuar në 44 vjet radhazi praninë e një lojtari të Interit në finalet e Botërorit, një seri që zgjat nga viti 1982 deri në vitin 2026.
Në anën tjetër, eliminimi i Anglisë i dha fund një rekordi tjetër historik.
Bayern Munich nuk do të ketë asnjë futbollist në finalen e Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1982.
Kjo seri 44-vjeçare përfundon pasi Harry Kane, përfaqësuesi i vetëm i klubit bavarez në gjysmëfinale, nuk arriti ta udhëhiqte Anglinë drejt finales.
Anglia tani do të përballet me Francën në ndeshjen për vendin e tretë, e cila do të zhvillohet të shtunën (18 korrik) në Miami.
Pas eliminimit, ish-sulmuesi i Anglisë, Wayne Rooney, kritikoi mënyrën se si skuadra reagoi pas epërsisë.
“U vendosëm në një pozitë shumë të mirë, por më pas nuk dinim çfarë të bënim. U tërhoqëm shumë prapa dhe i lejuam të na sulmonin.
“Ata krijuan shumë raste dhe në fund ne u dorëzuam. Jam shumë i zhgënjyer”, tha Rooney për “BBC Sport”.
Edhe Alan Shearer pranoi se Argjentina e meritoi kualifikimin.
“Mendoj se fitoi skuadra më e mirë. Duhet ta pranojmë këtë.
“Ata reaguan në mënyrë të shkëlqyer, goditën edhe shtyllën disa herë dhe Anglia pati fat në disa momente.
“Më bëri përshtypje se si nuk u panikuan, si i qëndruan besnikë planit të tyre të lojës dhe besuan deri në fund.
“Edhe zëvendësimet funksionuan në mënyrë perfekte për ta. Duhet t’i respektosh për mënyrën se si u rikthyen në ndeshje.
“E meritojnë të jenë në finalen e së dielës, sado e dhimbshme të jetë ta thuash këtë”, u shpreh Shearer.