BE kërkon që Meta t’i çaktivizojë disa funksione në Facebook dhe Instagram





Bashkimi Evropian ka akuzuar gjigantin amerikan Meta për shkelje të rregullave dixhitale përmes mekanizmave që nxisin varësinë, duke dëmtuar seriozisht shëndetin mendor, veçanërisht të të rinjve, derisa ka paralajmëruar edhe sanksione nëse vendos të mos e përfillë kërkesën evropiane dhe të mos ndërmarrë ndryshimet e nevojshme.

Pas një hetimi dyvjeçar nën ombrellën e Aktit për Shërbimet Digjitale, rregullatorët e BE-së kanë nxjerrë konstatime paraprake, duke kërkuar ndryshime rrënjësore në mënyrën se si funksionojnë platformat sociale të Meta-s – Facebook dhe Instagram.

Disa funksione të Meta-s janë dizajnuar për t’i mbajtur të “ngjitur” përdoruesit para ekraneve të pajisjeve të tyre për një kohë sa më të gjatë, sipas Komisionit Evropian.

E për t’i shmangur sanksionet financiare që mund të arrijnë deri në 6 për qind të të ardhurave të saj vjetore në nivel botëror, gjiganti amerikan është urdhëruar që të çaktivizojë funksionet autoplay dhe infinite scroll, të ndryshojë algoritmet që nxisin angazhimin e përdoruesve dhe të rekomandojë pushime efektive nga ekrani.

BE-ja ka hetuar Metën që nga maji i vitit 2024 për shkelje të rregullores së mediave sociale, duke e akuzuar edhe për dështimin në parandalimin e përdoruesve nën 13 vjeç. Në shkurt 2026, blloku 27-shtetesh lëshoi ​​një paralajmërit të ngjashëm për TikTok-un.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo