Raportet zyrtare të NPK “Tetova”, të prezantuara para Këshillit Komunal të Tetovës, nxjerrin në pah një diferencë financiare që kërkon sqarim të menjëhershëm dhe të dokumentuar.
Sipas raportit për vitin 2024, NPK “Tetova” ka evidentuar 45,3 milionë denarë të hyra nga “Saubermacheri”. Ndërkaq, në raportin për vitin 2025, në të njëjtën kategori janë evidentuar vetëm 1,2 milionë denarë.
Bëhet fjalë për një diferencë prej mbi 44 milionë denarësh, ose rreth 720 mijë eurosh. Kjo paraqet një rënie prej rreth 97,4 për qind.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë:
* Si është krijuar kjo diferencë?
* Ku janë evidentuar mbi 44 milionë denarët?
* A bëhet fjalë për ndryshim në paraqitjen kontabël, detyrime të papaguara, humbje të të hyrave apo keqmenaxhim?
* Kush do të mbajë përgjegjësi?
Kërkojmë nga drejtuesit e NPK “Tetova” dhe Komuna e Tetovës të publikojnë pa vonesë dokumentacionin financiar, marrëveshjet, faturat dhe rrjedhën e pagesave që lidhen me “Saubermacherin”.
Kur drejtimi i aseteve dhe ndërmarrjeve komunale u besohet kuadrove me kompetenca dhe kualifikime profesionale të dyshimta apo inekzistente, dyshimi për keqmenaxhim dhe keqpërdorim bëhet i pashmangshëm. Për këtë nevojitet përgjegjësi e plotë dhe llogaridhënie institucionale.
Nuk do të ndalemi këtu. Çdo dyshim për keqpërdorim do ta dokumentojmë dhe do ta denoncojmë pranë organeve kompetente.
