Babai i Erling Haalandit flet për një transferim të mundshëm të djalit të tij te Reali

Ylli i Manchester Cityt, Erling Haalandi, është rikthyer sërish në qendër të spekulimeve për të ardhmen e tij, pas komenteve sensacionale të babait të tij, Alf-Inge Haaland, lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi.

Me Jose Mourinhon tashmë në krye të gjigantit spanjoll, zërat janë intensifikuar ndërsa sulmuesi norvegjez vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.

Vala më e fundit e spekulimeve nisi pasi Alf-Inge foli hapur për rrugëtimin në karrierën e të birit, përpara ndeshjeve të fundit të Norvegjisë në Kupën e Botës.

Edhe pse pranoi se Erlingu është i përkushtuar ndaj Cityt, ai tha se joshja e Real Madridit është e vështirë të refuzohet për çdo futbollist.

53-vjeçari deklaroi për “DAZN”: “Transferimi te Real Madridi? Ai është shumë i lumtur te Manchester City dhe ka një kontratë afatgjatë. Po presim sezonin e ri… por kush nuk do të donte të luante për Real Madridin? Në futboll nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë”.

Pas këtyre komenteve, eksperti i merkatos Fabrizio Romano ka sqaruar situatën rreth Erling Haalandit dhe një transferimi të mundshëm te Real Madridi.

Pavarësisht zërave të shumtë që e lidhin sulmuesin me një kalim te skuadra e Jose Mourinhos në Madrid, Romano këmbëngul se një marrëveshje e tillë nuk është në plan për këtë afat kalimtar.

Duke folur në kanalin e tij në “YouTube”, Romano u shpreh qartë për të ardhmen e menjëhershme të yllit të Cityt.

“Po ju them se Haaland te Real Madrid këtë verë – jo. Por Haaland te Real Madrid një ditë? Kush e di? Sepse Haaland nuk e përjashton mundësinë që një ditë, e theksoj, jo në verën e vitit 2026, të transferohet te Real Madrid. Pra, është diçka që në mendjen e Erling Haalandit konsiderohet si një mundësi për të ardhmen. Edhe një herë, nuk po flas për këtë verë”, tha ai.

Pavarësisht spekulimeve, Haalandi mbetet një nga shtyllat kryesore të projektit të Manchester Cityt.

Pasi ka nënshkruar një kontratë që e mban në Manchester deri në vitin 2034, sulmuesi raportohet se është i entuziazmuar të punojë nën drejtimin e trajnerit të ri të klubit pas largimit të Pep Guardiolës.

Romano shtoi se marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit vazhdon të jetë shumë e fortë edhe nën drejtimin e ri.

“Edhe një herë, Haalandi është shumë i lumtur te Manchester City. Ai është një lojtar kyç për projektin e Cityt dhe për trajnerin e ri Enzo Maresca. Prandaj, atmosfera mes Haalandit dhe Manchester Cityt është absolutisht shumë pozitive. Kjo është historia në këtë rast”, përfundoi Romano.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo