Avioni i parë me krahë fiks i zhvilluar në Kinë për zbulimin gjithëpërfshirës të mjedisit atmosferik ka përfunduar me sukses fluturimin e tij të parë, sipas zhvilluesit të tij, Korporatës së Industrisë së Aviacionit të Kinës (AVIC), citon “Xinhua”.
Avioni është ndërtuar duke përdorur platformën Y12F, një avion turbohelikë/rajonal i klasit 8 tonësh, i zhvilluar nga “AVIC Harbin Aircraft Industry Group Co., Ltd.”. Ai do të ofrojë aftësi thelbësore të zbulimit vertikal për monitorimin rajonal të ndotjes atmosferike të Kinës, raportoi të Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Stacionet tradicionale të monitorimit në tokë janë të kufizuara në vëzhgimin e shpërndarjes vertikale të ndotësve. Ekipi i zhvillimit ka kryer modifikime të gjera dhe integrimin e sistemit në avion për të përmbushur kërkesat e zbulimit stereoskopik me ndjeshmëri të lartë.

foto nga CMG
Misioni kryesor i avionit është të monitorojë njëkohësisht ndotës të shumtë, duke përfshirë ndotësit e gaztë, gazet serrë si dyoksidi i karbonit dhe metani, si dhe vetitë fizike dhe kimike të ujit të reve.
Ky është i vetmi model avioni civil vendas që ka marrë njëkohësisht certifikata tipi nga Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC), Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) dhe Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA), duke reflektuar besueshmërinë e tij të fortë dhe njohjen ndërkombëtare.
Avioni është planifikuar të kryejë më shumë se 30 orë fluturime testimi në lartësi të ndryshme dhe në kushte të ndryshme mjedisore.
Të dhënat e mbledhura do të jenë thelbësore për rafinimin e performancës operacionale të sistemit të integruar, duke ofruar mbështetje të fuqishme teknike për kërkimin e Kinës në mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimaterike.