ASH: Babai i Mimoza Musës u emërua në Bankën Zhvillimore, ky është nepotizëm

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka akuzuar deputeten Mimoza Musa për nepotizëm, pasi babai i saj është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore.

Nga ASH rikujtojnë se Musa, kur vendosi të mbetej pjesë e koalicionit VLEN, kishte deklaruar se këtë e bënte për të vazhduar luftën kundër korrupsionit, krimit dhe nepotizmit. Sipas opozitës, emërimi i babait të saj bie ndesh me këto deklarata.

Në reagimin e tyre, ASH pretendon se zyrtarët e VLEN-it flasin publikisht për meritokraci, ndërsa në praktikë, sipas tyre, favorizojnë familjarët për pozita në institucionet shtetërore.

“Babai i saj, tashmë pensionist, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore, një institucion që duhet të udhëhiqet mbi bazën e meritës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë publike. Në publik flasin për meritokraci, ndërsa në pushtet sistemojnë familjarët”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia kërkon që deputetja Musa të sqarojë se kush e ka propozuar babain e saj, mbi çfarë kriteresh është bërë emërimi dhe pse, sipas tyre, është përzgjedhur ai “mes mijëra ekonomistëve dhe profesionistëve të rinj”.

ASH gjithashtu vlerëson se mandati i deputetes, i fituar nën siglën e Aleancës për Shqiptarët, po përdoret për të mbështetur pushtetin, ndërsa pushteti, sipas tyre, po shfrytëzohet për të favorizuar familjarët e funksionarëve.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur reagim nga deputetja Mimoza Musa lidhur me këto akuza. Nëse ajo ose përfaqësues të VLEN-it do të japin një qëndrim, ai do të publikohet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo