A mund të ngjajë një Demokraci me një Diktaturë?





Ejup Berisha

 

 

Lidhur me këtë temë unë në një shkrim të mëhershëm kamë shkruar për Modelin e Diktat Demokracisë. Ky është model praktik e jo teorik ku disa elita politike Demokracinë e kanë kombinuar me praktika diktatoriale dhe I zbatojnë ato duke I prezentuar si veprime demokratike. Prandaj kur jemi te tituli I shkrimit Po është e mundur që një demokraci të ngjajë me një diktaturë. Kjo mund të ndodhë kur një Qeveri e zgjedhur i kufizon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, e dobëson pavarësinë e gjyqësorit, i kontrollon mediat ose e pengon opozitën të shprehet lirishëm në skenën politike.  Në këtë rast, institucionet demokratike ende ekzistojnë por vetëm formalisht, pra ato nuk funksionojnë me kapacitet të plotë. Zgjedhjet mund të vazhdojnë të mbahen, por të njejtat nuk garantojnë më ndryshime të vërteta dhe cilsore politike. Pra një demokraci ndonjëherë mund të marrë aspekte që ngjajnë në një diktaturë, nëse në një shtet kontrollet dhe barazpeshat dobësohen. Pra edhe një here Po, demokracia mund t’i ngjajë një regjimi diktatorial, fenomen që në teorinë politike më shpesh quhet regjim hibrid, demokraci joliberale ose autoritarizëm zgjedhor. Në sisteme të tilla, forma e demokracisë zgjedhjet, institucionet, kushtetuta ruhen, por thelbi i saj konkurrenca reale dhe e ndershme, sundimi i ligjit dhe liria e mediave shkilen rëndë. Ekzistojnë disa mënyra dhe mekanizma kryesorë përmes të cilëve një demokraci fillon ti ngjajë një regjimi diktatorial dhe atë kur: Shteti robërohet dhe vendoset kontroll mbi institucionet,atëherë fillon erozioni i ndarjes së pushteteve.  Ekzekutivi qeveria dhe udhëheqësia dominon e i nënshtron plotësisht degët e tjera të pushtetit si, legjislativin dhe gjyqësorin. Kur gjyqësori Gjykatat dhe prokuroritë pushojnë së qeni të pavarura dhe përdoren si mjet për larjen e hesapeve me kundërshtarët politikë. Atëherë kur kontrolli mbi administratën, burimet shtetërore dhe sektori publik përdoren për të blerë vota dhe për të ushtruar presion partiak. Kështu demokracia shërben vetëmse si fasadë e jashtme. Kur jemi te zgjedhjet ato mbahen  formalisht, por të njejtat janë të padrejta. Fusha e lojës është e pabarabartë. Partitë në pushtet kanë një përparsi të madhe përmes keqpërdorimit të parave shtetërore, ndërsa opozita është e margjinalizuar, e frikësuar ose e bllokuar institucionalisht. Praktikohet shtypja e mendimit kritik dhe e medias, egziston errësirë mediatike.  Mediat më me ndikim vendosen nën kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga qeveria përmes financimeve ose presioneve. Sulmohet sektori civil OJQ-të, Kur aktivistët dhe gazetarët e pavarur etiketohen si “tradhtarë” ose “mercenarë të huaj” me qëllim diskreditimit të tyre. Egziston populizmi dhe favorizohet kulti i personalitetit udhëheqësit këta përdorin retorikë populiste me qëllim të ndarjes së kombit në “popull” dhe në “armiq”. Egziston figurë qendrore dhe e forte politike, pushteti është i përqendruar në duart e një udhëheqësi të vetëm dominues, i cili e paraqet veten si mbrojtësin e vetëm të interesave kombëtare. Ky proces i kthimit quhet kthim prapa demokratik. Ndryshe nga e kaluara, ku regjimet autoritare vinin në pushtet përmes grushteve të dhunshme ushtarake, tendencat moderne autoritare shpesh lindin nga brenda vetë sistemit, kur udhëheqësit e zgjedhur ligjërisht gradualisht i çmontojnë shtyllat e demokracisë Pavarësisht këtyre ngjashmërive, një demokraci e vërtetë dallohet gjithmonë nga diktatura  për shkak të: Respektimit të të drejtave themelore, sundimit të ligjit, zgjedhjeve të lira e transparente si dhe dhënies së mundësive që qytetarët që ta kritikojnë qeverinë dhe ta zëvendësojnë atë në mënyrë paqësore, nëse e njejta nuk I plotëson pritshmëritë e tyre. Këto elementë përbëjnë ndryshimet kryesore të demokracisë me diktaturën. Për fund, për sa kohë që parimet demokratike respektohen dhe qytetarët mund ti ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre, demokracia mbetet e dallueshme nga një diktaturë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo