Ka kohë që Artan Grubi është larg politikës aktive. I izoluar nga skena publike dhe në pritje të epilogut të proceseve që lidhen me emrin e tij, ai vazhdon të jetë një nga figurat më të komentuara në hapësirën shqiptare.
Për fatin e tij juridik do të vendosin institucionet kompetente dhe deri në një vendim të formës së prerë, ai gëzon prezumimin e pafajësisë, një parim themelor i çdo shteti demokratik.
Por politika shpesh nuk gjykohet vetëm në sallat e gjyqit. Ajo gjykohet edhe nga koha.
Shumë prej nesh besuan se pas largimit të tij dhe të një brezi të caktuar politik do të vinte një kohë më e mirë. Besuam se problemet që na shoqëronin kishin emra të përveçëm dhe se mjaftonte largimi i tyre për të hapur një kapitull të ri.
Sot, ndërsa shohim zhvillimet politike, zhgënjimet, mungesën e vizionit dhe zbehjen e përfaqësimit politik, shumëkush ka nisur të kuptojë se politika gjithmonë mund të bëhet edhe më e dobët, edhe më e varfër, edhe më e keqe .
Artan Grubi mbetet një figurë e komentuar. Për të janë thënë e shkruar shumë gjëra, disa të drejta e disa që koha do t’i verifikojë. Por një gjë është e vështirë të mohohet, sepse ai dinte të lëvizte në politikë si një mjeshtër i saj.
Dinte të negocionte, të impononte tema, të krijonte dinamika dhe shpesh të qëndronte në qendër të vendimmarrjes.
Ai vallëzonte mbi skenën politike me një aftësi që sot duket se mungon.
Historia nuk i fal gabimet askujt, por as nuk lejon që roli i dikujt të fshihet tërësisht. Prandaj, ndërsa presim që drejtësia të thotë fjalën e saj, politika tashmë po jep një mësim tjetër, ate qe shpeshherë vlerën e një faktori e kuptojmë vetëm pasi ai largohet nga skena.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Artan Grubin, por edhe se çfarë ka ndodhur me politikën tonë në mungesën e figurave që, me të gjitha të metat e tyre, dinin ta dominonin atë.