Trump: Po mos të isha unë, Izraeli nuk do të ekzistonte

Presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë pretendimet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kishte manipuluar për të nisur luftën kundër Iranit, duke theksuar se vendimi ishte ekskluzivisht i tij.

Duke folur në emisionin “Pod Force One”, ai tha se nuk kishte qenë nën ndikimin e liderit izraelit.

“Ai më manipuluoi mua? Unë jam ai që e nisa këtë”, tha 79-vjeçari, duke shtuar se kishte vepruar sepse “nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore”.

Lideri amerikan ia atribuoi këto akuza kundërshtarëve të tij politikë, të cilët i quajti “Dumbocrats”, duke pretenduar se “nuk dinë çfarë po bëjnë”. Ai theksoi gjithashtu se shqetësimi i tij për programin bërthamor iranian daton që nga mandati i tij i parë, kur SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin.

Presidenti amerikan tha se çështja e Iranit lidhet drejtpërdrejt me Izraelin, duke argumentuar se ky vend “ndoshta do të ishte objektivi i parë i sulmeve”.

“Po ju them diçka, po të mos isha unë, Izraeli sot nuk do të ekzistonte”, deklaroi Trump.

Ky i fundit u pyet gjithashtu nëse e kishte quajtur Netanyahun “çmendurisht të marrë” dhe e kishte akuzuar për mosmirënjohje, siç raportoi më herët Axios.

“Po. Nuk do të thosha se isha i zemëruar. Isha pak i shqetësuar nga luftimet e tij të vazhdueshme me Libanin”, tha Trump, duke shtuar se, pavarësisht fjalëve të ashpra, ai dhe Netanyahu “shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin”.

Sipas raportimit të Axios, i cili citonte një zyrtar amerikan të paidentifikuar, Trump gjatë një bisede telefonike të hënën humbi durimin me Netanyahun dhe i tha se po dëmtonte Izraelin me përshkallëzimin e konfliktit në Liban. Raporte të ngjashme janë publikuar edhe nga media të tjera amerikane dhe izraelite.

Duke iu referuar asaj bisede, Trump tha se në një moment i kishte thënë Netanyahut “Bibi, duhet ta ndalim këtë. Duhet ta ndalim”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo