Ka emra që maten me trofe, por ka edhe emra që maten me brezat që kanë krijuar. Një prej tyre është pa dyshim Prof. Ejup Sulejmani, një figurë që jetën e ka lidhur ngushtë me futbollin, fillimisht si futbollist dhe më pas si edukator, trajner dhe formues i talenteve të rinj informon Tetovasot.
Për dekada me radhë, ai ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të futbollit tetovar, veçanërisht në Akademinë e Shkëndijës, aty ku janë hedhur themelet e shumë karrierave të suksesshme. Breza të tërë futbollistësh kanë kaluar nëpër duart e tij, duke mësuar jo vetëm si të luajnë futboll, por edhe si të ndërtohen si sportistë dhe njerëz.
Shumë prej emrave që sot kanë lënë gjurmë me fanellën e KF Shkëndija apo në klube të tjera brenda dhe jashtë vendit, dikur ishin fëmijë në stërvitjet e Prof. Ejup Sulejmanit. Ai ishte aty kur ata hodhën hapat e parë, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në zhvillimin e futbollit të ri shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në një kohë kur shumëkush kërkon famën e momentit, Prof. Sulejmani zgjodhi punën e heshtur, atë që nuk shihet në titujt e mëdhenj, por që lë gjurmë të përhershme. Ai nuk ndërtoi vetëm futbollistë, por ndërtoi ëndrra, karaktere dhe besim te qindra të rinj.
Sot, kur flitet për sukseset e futbollit tetovar dhe për brezat që kanë mbajtur lart emrin e Shkëndijës, është e pamundur të mos përmendet edhe emri i Prof. Ejup Sulejmanit, njeriut që për një jetë të tërë i shërbeu futbollit me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri të pakushtëzuar.Tetovasot
