Mbi 16 mijë gjoba për një muaj, mijëra shoferë kapen në shkelje të rënda





Policia ka publikuar bilancin e kontrolleve të trafikut gjatë muajit maj, ku janë evidentuar plot 16.885 kundërvajtje në komunikacion në mbarë vendin informon Tetovasot.

Sipas të dhënave zyrtare, 4.473 shoferë janë gjobitur për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa 3.851 për parkim të paligjshëm dhe 920 për përdorim të telefonit celular gjatë vozitjes.

Veçanërisht shqetësuese mbeten shkeljet që konsiderohen si drejtim i pakujdesshëm i automjetit. Gjatë muajit maj janë sanksionuar:

70 shoferë që kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit;
241 persona që kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi;
33 shoferë që kanë vozitur pavarësisht ndalimit të mëparshëm për drejtim mjeti.

Në të njëjtën periudhë, policia ka sekuestruar 238 automjete në bazë të nenit 300-b të Kodit Penal.

Kontrollet kanë zbuluar gjithashtu se 1.281 motoçiklistë nuk kanë mbajtur helmetë mbrojtëse, ndërsa 1.584 pjesëmarrës në trafik nuk kanë përdorur rripin e sigurisë. Janë gjobitur edhe 295 këmbësorë për shkelje të rregullave të komunikacionit.

Për shkak të mungesës së regjistrimit janë larguar nga trafiku 240 automjete, ndërsa 83 mjete janë përjashtuar nga qarkullimi për shkak të parregullsive teknike. Gjithashtu janë sanksionuar 55 shoferë për përdorimin e kundërligjshëm të folieve në xhamat e automjeteve.

Autoritetet njoftojnë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe apelojnë tek qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit për rrugë më të sigurta.Tetovasot

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo